Shkup, 2 dhjetor – Për momentin ekzistojnë 30 qendra ditore shtetërore për fëmijë me nevoja të veçanta të cilat gjenden vetëm në qytetet më të mëdha dhe u japin shërbime vetëm 10 për qind nga të gjithë fëmijët me nevoja të posaçme në vend, shkruan gazeta KOHA duke cituar raportin e UNICEF-it të titulluar “Vlerësim i formave alternative të kujdesit dhe shërbimeve për mbështetjen e familjeve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta”. Në raport, informojnë nga UNICEF-i, theksohet se rekomandimet e tjera përfshijnë përforcim të mëtejmë të lidhjeve ndërsektoriale mes shërbimeve për shkak të përgjigjes më të mirë ndaj nevojave të fëmijëve me nevoja të posaçme dhe intervenim i hershëm, me përqendrim në identifikim e rasteve përmes punës në bashkësi. Në raport bëhet thirrje për vendosjen e parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Nevojave të Posaçme dhe Shëndetit (KNF) në të gjitha shërbimet për fëmijë me nevoja të veçanta. Në promovimin e sotëm të raportit “Vlerësimi i formave alternative të kujdesit dhe shërbimeve për mbështetje të familjeve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta”, partnerët qeveritar, organizatat e personave me nevoja të veçanta, prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta edhe ekspertët diskutuan për udhëzimit kryesore dhe rekomandimet nga raporti. Në këtë vlerësim, të porositur nga UNICEF-i në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, shqyrtohen të gjitha format e qasshme të shërbimeve alternative për kujdes dhe mbështetje familjare të cilat shteti dhe aktorët e tjerë i sigurojnë për familjet dhe fëmijët me nevoja të veçanta, theksojnë nga UNICEF-i. (koha.mk)