NATO nuk është vetëm përmbledhje e forcave ushtarake, por edhe familje e cila ndan vlera të përbashkëta dhe dëshirë që të mbrohen ato vlera. Aleanca bazohet në parimet e lirisë, demokracisë dhe qeverisjes së të drejtës, ndërsa vendet aspirante duhet t’i plotësojnë këto kritere. Sfidat bashkëkohore, si terrorizmi dhe kriza migruese, kërkojnë rritje të bashkëpunimit, por edhe adaptim të rrethanave tjera për përballje të suksesshme me sfidat e tilla.
Këto janë pjesë e qëndrimeve të diskutuesve të sotëm, në shënimin e Ditës së NATO-s – 4 prilli, që sot në organizim të Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë, kontakt ambasadat e NATO-s në Maqedoni dhe zyra e NATO-s u mbajt në Shkup.
Ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski theksoi se integrimi euroatlantik për Maqedoninë mbetet prioritet kulmor. Anëtarësimi në NATO, tha është garanci për prosperitet dhe siguri edhe për Maqedoninë, por edhe për vendet e rajonit më gjerë dhe se për shkak të kësaj është e nevojshme që Aleanca të vazhdojë të zhvillojë politikë në dyer të hapura.
Ai u përqendrua edhe në proceset reformuese dhe modernizimin nëpër të cilat kalon ARM-ja dhe me këtë rast theksoi se në mënyrë të tillë është ndërtuar Armata e denjë për respekt, e gatshme në çdo kohë t’i plotësojë kushtet e saja kushtetuese dhe në mënyrë të barabartë bartet me aleatët në misionet paqësore ndërkombëtare.
Në shënimin e Ditës së NATO-s pati fjalim edhe ambasadori amerikan në Maqedoni Xhes Bejli. “Dyert e NATO-s mbesin të hapura për popujt evropian të cilët janë të gatshëm t’i pranojnë angazhimet dhe obligimet nga anëtarësimi dhe të kontribuojnë për sigurinë në rajonin euroatlantik”, tha Bejli.
Në Maqedoni, shtoi, vazhdojmë t’i mbështesim qëllimet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.
“Që të realizohet ai qëllim, është e nevojshme të dihet se NATO-ja nuk është vetëm përmbledhje e forcave ushtarake, se NATO-ja është familje e cila ndan vlera të përbashkëta dhe dëshirë që të mbrohen ato vlera po aq si edhe njerëzit dhe territoret”, tha Bejli. Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit euroatlantik i Maqedonisë, theksoi se Maqedonia duhet të qëndrojë në rrugën e integrimeve euroatlantike.
“Nëse i riafirmojmë vlerat euroatlantike, nuk iu japim hapësirë antivlerave”, tha Ramadani. Ngjarja ka për qëllim promovimin e historisë, vlerat dhe qëllimet e Aleancës, si dhe theksimin e rëndësisë së integrimeve euroatlantike për Republikën e Maqedonisë.
Në shënimin e Ditës së NATO-s, fjalime patën edhe ambasadorët e Kroacisë dhe të Spanjës, Danijella Barishiq dhe Ramon Abaroa Karanza, si dhe udhëheqësi i Zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Barton. Dita e NATO-s është ngjarje e cila tradicionalisht shënohet në të gjitha vendet-anëtare të Aleancës, si dhe në vendet-partnere. Në këtë ditë në vitin 1949, 12 vende në Uashington (SHBA) e kanë nënshkruar Marrëveshjen me të cilën është konstituuar Aleanca Veri-atlantike.