Shënimin e përvjetorit të Murat Isakut e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili tha se përmes veprës, Murat Isaku ka dhënë shembullin e shkrimtarit që luan rol të drejtpërdrejtë në shoqëri, në zhvillimet e përgjithshme, sikundër këto ngjarje do të ndikojnë pastaj edhe mbi krijimtarinë e tij.
Urim HASIPI
Tetovë, 20 prill – Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” mbrëmë ka shënuar 90 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar të letërsisë shqiptare, Murat Isaku. Ky aktivitet u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe në të morën pjesë profesorë të UT-së, drejtues të institucioneve kulturore-artistike nga qyteti i Tetovës dhe jo vetëm, dashamirë të artit dhe kulturës, nxënës, studentë dhe personalitete të njohura nga jeta publike në vend. Shënimin e përvjetorit të Murat Isakut e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili tha se përmes veprës, Murat Isaku ka dhënë shembullin e shkrimtarit që luan rol të drejtpërdrejtë në shoqëri, në zhvillimet e përgjithshme, sikundër këto ngjarje do të ndikojnë pastaj edhe mbi krijimtarinë e tij.
“Siç ndodh me çdo krijues të realizuar, shkrimtar të suksesshëm, edhe Murat Isaku, përtej rolit jetësor, ndikimin më efektiv dhe më afatgjatë, e realizoi me anën të artikulimit të ideve në veprën letrare. Ishte i vetëdijshëm se të jesh shkrimtar shqiptar, domethënë, njëkohësisht të punoje se ç’të reja mund të ofroje në letërsinë e vendit, si dhe të dije të vlerësoje potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në një situatë të caktuar, ku gjithçka mund të kthehej në materie letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e krijuesit dhe te larmia e saj e jashtëzakonshme”, tha Sulejmani.
Referatin për jetën dhe veprën e shkrimtarit e paraqiti profesori i letërsisë shqiptare Salajdin Salihu, i cili theksoi se nëpërmjet gjuhës dhe fjalës, Murat Isaku krijoi një kështjellë monumentale artistike, të ëndërrt e flatërore, duke përdorur shajni e makthe, hije e delire, dhembje dhe zhgënjime, tragjikë e groteskë. Shënimin e 90-vjetorit të lindjes së poetit Murat Isaku, me pjesëmarrjen e saj e nderoi edhe shkrimtarja e njohur Puntorie Muça Ziba, e cila e vlerësoi lart veprën letrare të tij. Duke e ditur peshën artistike të poezisë së Murat Isakut, që e krijonte me pasion të rrallë, dhe e konsideronte dashurinë e parë e të paharruar së cilës i kthehej vazhdimisht, në këtë aktivitet u promovua edhe përmbledhja me poezi të përzgjedhura, me titull “Jeta e Ketrit”, vëllim poetik që u botua nën kujdesin e të bijës, profesoreshës së nderuar Luljeta Isaku. Para pjesëmarrësve, Luljeta Isaku mes tjerash, në fjalën e saj rrëfeu një kujtim nga shkrimtari Murat Isaku.
“Do ta them një kujtim të cilin e kam pasur bashkë me babanë, ka qenë hera e fundit që kemi ecur drejt rrugës së Gajres dhe rrugën na e zuri një ketër, i cili nuk dinte, djathtas apo majtas ta marrë rrugën e tij të caktuar. Babai e shikoi, u kthye nga unë dhe tha s shumë njerëz e bëjnë jetën e ketrit dhe kjo fjali më mbeti si motiv i pashtjelluar më vonë ç’deshi ai të thotë. Duke u bindur në atë që jeta e ketrit është vetë jeta e njeriut, erdha në idenë për ta titulluar përmbledhjen e poezive të përzgjedhura me jetën e ketrit, sepse në këtë përmbledhje ka poezi të cilat në shumë raste, në shumë momente, përfshin, përmbledhin jetën e vetë autorit dhe jetën e njerëzve me të cilat ai ka jetuar”, tha Luljeta Isaku. Pjesë e programit të shënimit të përvjetorit ishte edhe ora letrare me vargjet e poezisë së Murat Isakut, e cila u realizua nga profesoresha Vjollcë Berisha, Puntorie Muça Ziba, Jona Neziri, Erblina Islami dhe Kaltrina Sadiki, pikët artistike – muzikore i sollën në skenë Teuta Emini në flautë dhe Jozef Menga në piano. Murat Isaku ishte poet, romansier, publicist e studiues, një nga personalitetet më të shquara të artit dhe kulturës sonë, njohës i letërsisë botërore, i letërsisë së traditës, i folklorit shqiptar të trevës së Malësisë së Sharrit, rajonit të Pollogut dhe folklorit të pasur arbëresh. (koha.mk)