Shënohet 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

1 084

Shkup, 22 nëntor – Ditën e sotme, më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.

Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues.

Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.

Zgjidhja e kësaj çështjeje ndihmoi si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar, duke i dhënë një shtysë historike përhapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe. Alfabeti i përbashkët u bë në fakt pararendës i pavarësisë, i shtetit të përbashkët, që u themelua 4 vite më vonë në Vlorë. (koha.mk)