Sot janë kujtuar 30 dëshmorët e rënë me 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në fshatrat Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit.
Ceremonia përkujtimore ka nisur me homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Rogovë të Hasit, ndërsa është mbajtur edhe një akademi solemne në Sallën Universale të Pallatit të Kulturës “Arsim Vokshi” në Gjakovë, njofton Klan Kosova.
Në emër të komunës së Gjakovës, ka folur nënkryetari i komunës, Ramadan Hoti, i cili mes tjerash ka thënë se heronjtë e dëshmorët e kësaj epopeje kanë qenë djemtë me të dalluar dhe kontribut dhënësit më të mëdhenjtë të luftës, prandaj të gjithë ne duhet të marrim obligime shtesë që ëndrrën e tyre për një Kosovë të zhvilluar ta bëjmë realitet.
Në nderim të dëshmorëve, fjalë rasti kanë mbajtur edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi si dhe përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve.
Dëshmorët e përkujtuar sot janë: Agron Rama, Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetta, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Lipjani, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sejdi Ramaj, Sahit Krasniqi, Valon Gashi, Gaspër Karaqi, Zyber Shala, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Rifat Shala, Rrustem Morina, Selmon Morina, Nesret Morina, Muhamet Morina dhe Adem Shala.