Shënohet 100 vjetori i armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore

1

Udhëheqës botërorë të mbledhur në Paris do të kryesojnë ceremonitë përkujtimore të kësaj të diele, që shënojnë 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, në një kohë kur nacionalizmi sa vjen e rritet dhe shoqëria globale është përfshirë nga tensione diplomatike.

Rreth 70 udhëheqës botërorë, përfshi presidentët amerikanë dhe rusë, Donald Trump e Vladimir Putin, do të shënojnë 100-vjetorin e Armëpushimit të vitit 1918 në kryeqytetin francez, në orën 11 me atë lokale.

Ndërkohë, ceremonitë në Zelandën e Re, Australi, Indi, Hong Kong dhe Mianmar kanë shënuar fillimin e shfaqjeve përkujtimore në mbarë botën, për një konflikt që përfshiu miliona trupa ushtarake nga vendet e kolonizuara në Azi e Afrikë.

Krerët e kombeve të “Commonwealth”-it, forcat e të cilëve u dërguan nën komandën britanike 100 vite më parë, dhanë gjithashtu një mesazh paqeje dhe shprese për botën, për shekullin në vijim.

“Ajo ishte një luftë ku India nuk u përfshi drejtpërdrejt, e megjithatë ushtarët tanë luftuan në mbarë botën për kauzën e paqes”, shkroi kryeministri indian, Narendra Modi, në Twitter këtë të dielë.

“Për të nesërmet tona, ata hoqën dorë nga ‘e sotmja’ e tyre”, tha kryeministri australian, Scott Morrison përpara një turme njerëzish të mbledhur për ceremoninë kombëtare të Ditës së Përkujtimit në Canberra.

Përkujtimoret në Paris, të përqëndruara në varrin e “Ushtarit të Panjohur” nën Harkun e Triumfit, pritet të përfshijnë edhe paralajmërimet mbi rrezikun e nacionalizmit në kohët moderne.

“Kjo nuk është thjesht një ditë përkujtimoreje, por duhet të jetë edhe një thirrje e fuqishme për veprim”, tha një ditë më parë Kancelarja gjermane Angela Merkel, pasi vizitoi zonën pyjore në verilindje të Francës ku u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit.

Merkel do të mbajë gjithashtu edhe fjalimin hapës, në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në një konferencë të titulluar “Forumi i Paqes së Parisit”, që do të mbahet pas shërbesës përkujtimore në “Champs Elysees”, paraditen e kësaj të diele.

I organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, forumi në fjalë synon të nënvizojë rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare për ndihmesën e dhënë në zgjidhjen e konflikteve, në parandalimin e luftrave dhe në përhapjen e prosperitetit. Kryeministrja britanike, Theresa May dhe Mbretëresha Elizabeth II do të marrin pjesë në një ngjarje më vete, në Londër.

Comments are closed.