Kërçovë, 30 mars – Ka filluar shenjimi i gjashtë unazave, të cilat janë ndërtuar nëpër udhëkryqet e qytetit të Kërçovës, me çka kompetentët synojnë që të rrisin dozën e sigurisë në qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve, shkruan gazeta KOHA. Për t’u rritur qartësia dhe njëkohësh edhe rritja e sigurisë, si e shoferëve të automjeteve, po aq edhe e këmbësorëve, në vijime sipër janë punimet për vënien e shenjimit horizontal përgjatë këtyre unazave nëpër udhëkryqet kryesore të qytetit të Kërçovës. Tanimë në tre prej tyre kanë përfunduar punimet, te unaza pranë Stacionit të autobusëve në Kërçovë, që kryqëzon qendrën e qytetit me rrugën magjistrale Kërçovë-Strugë dhe Kërçovë-Gostivar, dhe që llogaritet si ndër më të frekuentuarat, pastaj unaza te Stacioni policor i Kërçovës dhe ajo tek gjimnazi i qytetit. Mbetet që edhe tre unazat, njëra përpara godinës së Komunës së Kërçovës, ajo që kryqëzon rrugën magjistrale me kompleksin në Krushinë, tek e cila nuk kanë përfunduar punimet dhe unaza tek Mulliri i qytetit, që ndan rrugët për në Strugë, Prilep e Shkup. Sipas kompetentëve për sigurinë në komunikacion, përskaj përmirësimit të funksionit, ky aktivitet dhe që ka të bëjë me shënjimin e këtyre rreth-rrotullimeve, do të krijojë edhe pamje më të mirë estetike, e cila në një masë edhe përputhet me rregullat në komunikacion, me të cilat kërkohet shikueshmëri më e lartë. “Jemi duke zhvilluar një fushatë të përforcuar për vendosjen e shenjave horizontale në të gjitha rreth-rrotullimet e qytetit. Shenjimi i ri do të mundësojë shikueshmëri dukshëm më të lartë në vetë rrethrrotullimet dhe zhvillim më të sigurt të komunikacionit, sepse në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të më shumë daljesh nga rruga të shumë automjeteve, sidomos përgjatë rrugës magjistrale që lidh Kërçovën me Gostivarin dhe Strugën. Përskaj cepave të unazave përmes ngjyrës së kuqe dhe të bardhë do të shenjohen edhe cepat e trotuareve dhe përskaj sinjalizimit vertikal, i cili është vendosur që me rastin e ndërtimit të këtyre rrethrrotullimeve do të përmirësojmë zhvillimin normal të komunikacionit, dhe do të kërkojmë zhvillimin e tij më të përpiktë, në përputhje me rregullat për qarkullimin e automjeteve dhe përmes kësaj ndërhyrjeje të krijojmë mundësi për zhvillim të qarkullimit normal, por njëkohësisht edhe për pamje më të bukur të vetë këtyre udhëkryqeve. Krahas unazave Komuna e Kërçovës, ka planifikuar që të vendosë shenja horizontale, por edhe atyre vertikale, krahas atyre ekzistuese edhe nëpër udhëkryqe e lagje të tjera të frekuentuara të qytetit, por theks i veçantë do t’u jepet udhëkryqeve përpara shkollave, ku siguria e fëmijëve është më se e nevojshme”, ka thënë në një prononcim të tij, Emin Nasufi, nga kabineti i kreut të Komunës së Kërçovës. Megjithatë, një pjesë e qytetarëve, po ankohen edhe përskaj këtyre ndërhyrjeve, duke potencuar se nevojitet një kontroll më i rreptë në komunikacion, sepse aksidentet në rrugë nuk janë ndonjë dukuri e panjohur për vetë kërçovarët dhe se në të kaluarën ato kanë marrë edhe jetë njerëzish.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara