Mjekët thonë se duhet të jetë në ngjyrë rozë, që varion nga një nuancë e lehtë në të errët. Gjuha gjithashtu duhet të ketë shumë gunga të vogla mbi sipërfaqen e saj, që përmbajnë sythe shijeje. Mjeku Daniel Allen nga klinika në Cleveland thotë: “Një gjuhë e shëndetshme duhet të jetë rozë e mbuluar me papila të vogla. Çdo devijim nga pamja normale e gjuhës suaj, mund të jetë shkak për shqetësim”.
Shumica prej nesh rrallë shikojnë gjuhën, por dentistët thonë se është “dritare” për shëndetin e trupit tuaj. Problemet nga mungesa e vitaminave, alergjia dhe imuniteti i dobët, mund të manifestohen së pari në gjuhë, shkruan “Daily Mail”.
NJOLLAT E BARDHA NË GJUHË SHENJË PËR INFEKSION MYKOTIK
Shumë prej nesh do të kenë njolla të bardha në gjuhë në ndonjë moment të jetës. Por, a e dini se ky mund të jetë një infeksion mykotik? Sasi të vogla të kërpudhave Candida jetojnë në lëkurë dhe brenda trupit në gojë, fyt e zorrë. Është i padëmshëm dhe normalisht kalon pa u vënë re. Por, papritmas mund të fillojë të rritet në mënyrë të pakontrolluar, duke bërë që të shfaqet një shtresë e bardhë në gjuhë. Kjo ndodh kur antibiotikët ose ilaçet vrasin bakteret e dobishme që mbajnë nën kontroll kërpudhat, duke lejuar kështu që ato të rriten shpejt. Mund të shkaktohet edhe nga stresi kronik që dobësim sistemin imunitar. Dentisti Uchenna Akosa, një dentist në New Jersey, tregon për “Shape”: “Është një shtresë shumë e bardhë (në majë dhe anët e gjuhës) dhe poshtë gjuhës mund të jetë e kuqe”.
Simptoma tjera përfshijnë humbjen e shijes, nuhatjes dhe dhimbje gjatë ngrënies apo gëlltitjes. Infeksioni trajtohet shumë lehtësisht duke përdorur një ilaç antifungal, që mund të jepet në formë tabletash apo në formë të lëngshme. Nuk është ngjitëse dhe njerëzit mund të ndihmojnë në parandalimin duke larë gjuhën së paku dy herë në ditë.
GJUHA E LËMUAR, NUK PO KONSUMONI MJAFTUESHËM VITAMINA
Gjuha e lëmuar mund të jetë paralajmërim për mungesë të vitaminave, si mungesë të hekurit dhe vitaminës B12 – të dyja të rëndësishme për krijimin e qelizave të kuqe në trup që dërgojnë oksigjenin në organe të ndryshme. Normalisht, gjuha ka qindra gunga të vogla në sipërfaqen e saj të njohura si “papillae”, ku secila përmban sythe të shijeve. Por, kur dikush ka mungesë të vitaminave, këto papila fillojnë të shpërbëhen dhe të bien nga gjuha. Dentisti Mark Wolff nga Pennsylvainia, thotë për “Shape”: “Papritmas, gjuha e juaj bëhet me shkëlqim dhe humb strukturën. Ky është moment vërtetë përcaktues”.
Mungesa e hekurit dhe vitaminës B12 do të thotë se më pak oksigjen po transportohet në organe tuaja, dhe mungesa e oksigjenit në gjuhë çon në fillimin e humbjes së papilave. Simptoma tjera të mungesës së këtyre vitaminave, përfshijnë lodhje ekstreme, dhembje gjoksi dhe lëkurë të zbehtë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Britani rekomandon që burrat e rritur të marrin 8 miligramë hekur në ditë, ndërsa gratë të marrin 18 miligramë. Mund të merret duke ngrënë rreth shtatë gjoksa gjeldeti në ditë për burra, apo 14 për gra. Njerëzit mund të evitojnë mungesën e vitaminave duke u ushqyer shëndetshëm, dhe me një dietë të balancuar. Rreth 10 milionë persona në SHBA kanë mungesë të hekurit ndërsa 6 për qind e njerëzve kanë mungesë të vitaminës B12.
PLAGËT NË GJUHËN TUAJ MUND TË JENË SHENJA TË LËNDIMIT APO STRESIT
Plagët në gjuhën tuaj, lezione të vogla, të rrumbullakëta, të dhimbshme që mund të formohen në gjuhë, faqe ose mishra të dhëmbëve, janë shkaku i një lëndimi të gojës. Dentistët thonë se në aspektin mjekësor njihet si ulçera aftoze. Kjo mund të shkaktohet edhe nga kafshimi aksidental i zonave në gojë, apo edhe nga fërkimi tepër i fortë i asaj zone. Por, këto plagë nëse shfaqen rregullisht, mund të jenë edhe shenjë e stresit. Shkaqe tjera përfshijnë një alergji ndaj kafesë, luleshtrydheve apo djathit, apo edhe ndryshimet hormonale gjatë menopauzës. Këto plagë janë të padëmshme dhe normalisht shërohen vetë pa komplikime. Por, mjekët rekomandojnë se plagët që janë jashtëzakonisht të mëdha, e që vazhdojnë të përsëriten e shkaktojnë telashe për të ngrënë e pirë, duhet të mjekohen. Një plagë e vogël merr një deri dy javë për t’u shëruar, sipas mjekëve, ndërsa ato më të mëdha deri në gjashtë javë.
GJUHA NË FORMË LULESHTRYDHE MUND TË JETË INDIKACION PËR ALERGJI SEKRETE
Nëse keni vuajtur ndonjëherë nga një gjuhë e skuqur pasi keni ngrënë një ushqim të caktuar, atëherë mund të jetë shenjë e një alergji të fshehur. Për shumë njerëz me alergji të lehta në ushqime, gjuha e tyre bëhet e kuqe rrezatuese – ndonjëherë e njohur si “gjuhë luleshtrydhe”. Mund të bëhet edhe e lënduar dhe e ënjtur për shkak të alergjisë, apo anët e gojës mund të fillojnë të ënjten. Dentistët thonë se kjo mund të tregojë për alergji në ushqime, e veçanërisht ndaj disa frutave dhe perimeve. Sistemi imunitar del nga kontrolli dhe sulmon substancat që i sheh gabimisht si pushtues të huaj, duke bërë që gjuha të skuqet dhe të marrë inflamacion. Shkaqe tjera të “gjuhës së luleshtrydhes” përfshijnë infeksionet bakteriale që zhvillohen kur njerëzit kanë streptokokë. Në këto raste, bakteret lëshojnë një lloj toksine në gjuhë që shkakton gjuhën e kuqe. Po ashtu edhe mungesa e vitaminave, si ajo e B12, mund të çojë në skuqje të gjuhës.
SHENJAT E VERDHA NË GJUHË NËNKUPTOJNË SE NUK PO E LANË SI DUHET APO SE VUANI NGA GASTRITI
Një gjuhë e verdhë mund të shkaktohet nga një grumbullim i qelizave të vdekura të lëkurës në sipërfaqen e gjuhës, të cilat më pas shpërbëhen nga bakteret duke u dhënë atyre ngjyrë të verdhë. Mjekët thonë se ky grumbullim është normalisht i padëmshëm, por mund të jetë indikacion edhe për një gjendje tjetër. Përfshirë gastritin, që shkaktohet shpesh shkaku i një infeksioni. Kur njerëzit vuajnë nga gastriti, ata kanë gjasa të prodhojnë më pak pështymë, që do të thotë që qelizat e vdekura të lëkurës pastrohen nga sipërfaqja e gjuhës më rrallë. Ndërsa grumbullohen, ato mund të shkaktojnë shfaqjen e “gjuhës së verdhë”. Arsye tjera mund të jenë pirja e duhanit, ngrënia e një ushqimi me ngjyrë të verdhë, apo duke përdorur disa pastrues të gojës.
SI DUHET TË DUKET NJË GJUHË E SHËNDETSHME?
Pra, si duhet të duket një gjuhë e shëndetshme? Mjekët thonë se duhet të jetë në ngjyrë rozë, që varion nga një nuancë e lehtë në të errët. Gjuha gjithashtu duhet të ketë shumë gunga të vogla mbi sipërfaqen e saj, që përmbajnë sythe shijeje. Mjeku Daniel Allen nga klinika në Cleveland thotë: “Një gjuhë e shëndetshme duhet të jetë rozë e mbuluar me papila të vogla. Çdo devijim nga pamja normale e gjuhës suaj, mund të jetë shkak për shqetësim”.