Shkup, 11 mars – Me disa ngjarje sot dhe nesër në Shkup, Manastir dhe Shtip do të shënohet 75-vjetori nga holokaustit i Hebrenjve të Maqedonisë në Luftën e Dytë Botërore. Organizatorë janë Bashkësia Hebraike në Republikën e Maqedonisë dhe Fondi i holokaustit të hebrenjve nga Maqedonia, nën patronazh të Kryeministrit Zoran Zaev.
Programi dyditor përkujtimor do të fillojë sot në Manastir, ku janë paraparë pritje te kryetarja e komunës Natasha Petrovska, vendosje të luleve para përmendores së Hebrenjve të deportuar nga Manastiri dhe përmendorja e heroit kombëtar Estreja Ovadija-Mara.
Në aktivitetet përkujtimore në Manastir do të bashkëngjiten delegacioni qeveritar i udhëhequr nga ministri i Kulturës Robert Allagjozovski, në shoqërim të ministrave të Transportit dhe Lidhjeve dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Goran Sugareski dhe Damjan Mançevski, dhe sekretari shtetëror nga Ministria e Punëve të Jashtme Viktor Dimovski.
Para përmendores së hebrenjve të deportuar nga Manastiri dhe para përmendores së heroit kombëtar Estreja Ovadija – Mara fjalim do të mbajë edhe Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Në suaza të programit përkujtimor në nder të hebrenjve të deportuar nga Shtipi, do të ketë pritje te kryetari i komunës Bllagoj Boçarevski, vendosje të luleve para përmendores së hebrenjve të deportuar nga Shtipi dhe varrezat e hebrenjve në Shtip. Në Shtip do të marrë pjesë delegacioni qeveritar i udhëhequr nga ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë Vllado Milloshev.
Në Shkup një delegacion qeveritar i udhëhequr prej ministres së angazhuar për Investime të Huaja Zorica Apostoloska dhe zëvendësministrave të Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Bajdevski dhe Dejan Pasvleski do të vendosin lule në Përmendoren e hebrenjve të deportuar edhe para Përmendores të luftëtarëve të rënë në LÇK.
Në Filarmoninë e Maqedonisë në Shkup do të mbahet mbrëmje përkujtimore, në të cilën janë paralajmëruar fjalime të presidentit Gjorge Ivanov, zëvendësministrit të Mbrojtjes të Izraelit Eli Ben Dhan, përfaqësuesit të Komitetit hebraik amerikanë dhe përfaqësuesit të OSBE-së kryesuesit për luftë kundër antisemitizmit, rabin Endrju Bejker dhe kryetares të bashkësisë hebraike në Maqedoni Berta Romano Nikliq.
Programi përkujtimor do të vazhdojë nesër në Shkup me Marsh simbolik të të gjallëve, i cili do të fillojë nga Muzeu i Qytetit të Shkupit dhe do të përfundojë në Imerial Tobako TKS (Ish monopoli) prej nga janë deportuar hebrenjtë e Maqedonisë.
Në ngjarjet që janë pjesë e programit përkujtimor, siç informon shërbimi qeveritar për media, do të marrin pjesë edhe delegacione shtetërore dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të huaja përfaqësues vendorë të institucioneve në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe përfaqësues të bashkësive të hebrenjve nga Maqedoni dhe vende të tjera.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga Maqedonia u dëbuan 7.144 hebrenj dhe u dërguan në kampin e vdekjes Treblinka në Poloninë e pushtuar. Grumbullimi i hebrenjve prej disa qyteteve në të gjithë Maqedoninë filloi natën ndërmjet 10 dhe 11 marsit të vitit 1943, ku më pas ata u sollën në Shkup në ndërtesën e monopolit. Transportimi i hebrenjve nga Maqedonia filloi më 22 mars të vitit 1943 dhe deri më 29 mars të vitit 1943 të gjithë hebrenjtë e Maqedonisë u dëbuan në Treblinka, prej nga askush nuk u kthye.
Në prag të përkujtimit vjetor, të hënën (5 mars 2018), Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi një Deklaratë kushtuar 75 vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Maqedonia. Më 6 mars, qeveria miratoi përkufizimin e punës së Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit për Luftë kundër Antisemitizmit.