Aktoren, të cilën e sjellim sot në intervistë ka një bagazh të mrekullueshëm të roleve si në teatër, seriale, humor dhe filma. Shengyl Ismaili shihet si një aktore me plot jetë, nuk di të ndalet, një njeri me plot elan – por edhe një humoriste e mrekullueshme. Për të njohur më shumë jashtë skenës, e lexojmë bashkë intervistën ekskluzive për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Jeni një nga emrat më të vlerësuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare. Si ndiheni sot kur dëgjoni kaq shumë vlerësime mbi karrierën tuaj si aktore nga publiku dhe nga kolegët?
Natyrisht është ndjesi shumë e mirë se në fund të fundit unë për publik punoj, ky është shpërblimi më i mirë. Sidomos kur vlerësohem nga kolegët kjo më bën me u ndje shumë mirë.
KOHA: Filmat që keni interpretuar ju dhe kolegët tuaj vazhdojnë të mbesin në mendjen e opinionit, sipas jush pse vijojnë të jenë të tillë?
Besoj arsyeja është sepse janë filma të punuar mirë, përndryshe publiku din të jetë edhe hakmarrës, nëse nuk i servon diçka të mirë të bojkotojnë duke mos e përcjell punën tonë.
KOHA: Cili nga filmat mendoni se është më i miri për ju si aktore?
Deri më tash filmin tim që e vlerësoj më së shumti është “Shpia e agës”.
KOHA: Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike, por po kaq e suksesshme jeni edhe në komedi Çfarë mund të na thoni mbi jetën tuaj si aktore në teatër?
Teatrin e adhuroj, teatri më ka shtyrë me u marrë me këtë zanat, në teatër ndihem Shengyl…ndjesia që ma jep teatri nuk ma jep as filmi e as serialet…sepse është diçka e drejtpërdrejtë nuk ka CUT, punon 2 muaj në një shfaqje dhe e prezanton para publikut, çdo reprizë është premierë në vete me po të njëjtën adrenalinë, kjo është arsyeja pse e dua teatrin.
KOHA: Roli më i fundit në skenën teatrore ka qenë…?
Shfaqja “Kopshti i Vishnjeve” nga Çehov me regjisor Ilir Bokshi…ku edhe kisha rolin kryesorë, nje rol me shumë përgjegjësi.
KOHA: Çfarë mendoni sot për aktorët e rinj?
Mendoj se nuk janë shumë entuziast qysh kemi qenë ne në kohën tonë, kur kam apliku në fakultetin e arteve, nuk ka qenë qëllimi im me qenë e njohur, po thjeshtë kam aplikuar se e kam dashtë aktrimin, e tash të rinjtë kam përshtypjen se qëllimi i tyre është ti njeh dikush …natyrisht po flasë në përgjithësi, por duhet me u cek që kemi super aktor e aktore që edhe punojnë jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë vendit, kjo është një gjë shumë e mirë që do të thotë Kosova ka aktorë që premtojnë shumë.
KOHA: Si kalojnë ditët sot për ju?
Ndonjë ditë me kalon më ngadalë, ndonjë ditë i gjej vetës aktivitete që me e kalu kohën më shpejtë, shoh filma, lexoj, këndoj, shkruaj statuse pak më relaksuese.
KOHA: Vazhdoni të lexoni me pasion vepra të ndryshme?
Po patjetër,veç se tash kohë kam më pak e ndonjëherë kalon kohë që nuk mund t’i afrohem librit për shkak të punëve të tepërta që i kam.
KOHA: Kohët e fundit, çfarë vepre jeni duke lexuar?
Paulo Coelho “Shtriga e Portobelos” është roman truri në këtë kohë karantine nuk po pranon vepra më të rënda.
KOHA: Duket se i kushtoni shumë rëndësi paraqitjes suaj, veshjeve të kombinuara?
Jo aq shumë, nuk kam gardërobë të shtrenjtë por patjetër duhet me qenë e kombinuar…e adhuroj kombinimin, dhe veshjen jo shumë të zakonshme.
KOHA: Po për të rejat sot, çfarë mendoni, veshjet e tyre?
Hmm, kanë shije shumë patjetër, por e kam një këshillë për vajzat e reja, veshja nuk është
gjithçka … dhe i lus me e dallu veshjen e paradites me atë të mbrëmjes se ndonjëherë më duket se e ngatërrojnë.
KOHA: Po rininë tuaj si e kujtoni, një vajzë e re si ju?
Uuu kam qenë një rebele (qesh), nuk kam pranu JO për përgjigje, shumë e hareshme, guximtare, gjithmonë kam pas shumë shoqëri, kështu jam sot e kësaj dite.
KOHA: Kur shikoni filmat që ju keni interpretuar, ndodh që jeni kritike ndaj vetes suaj për rolet?
Jashtëzakonisht jam autokritike, saqë shpesh më thonë, Shengyl je tu e tepru, mundohem të mësoj prej gabimeve të mia.
KOHA: Duhet të jetë një ditë e veçantë. Mbani mend se me çfarë u prezantuat?
Shfaqja e parë përpos provimeve që jam prezentu me shfaqje, por shfaqja e parë si profesioniste ka qenë “Jam talent se jo mahi” në regji të ndjerit profesorit tim Faruk Begolli.
KOHA: Kush kanë qenë profesorët tuaj?
Luan Daka dhe Faruk Begolli.
KOHA: Gjatë kohës që ishit në Akademi a keni luajtur role?
Jo shumë, sepse në kohën time nuk kanë lejuar.
KOHA: Vijmë tek rolet. Roli juaj i parë në skenë ka qenë?
Valbona (Bona) në “Jam talent se jo mahi”.
KOHA: Po filmi juaj i parë kush është?
(Qesh) Nuk më kujtohet emri ..se ka qenë shumë moti.
KOHA: Gjatë karrierës, si e keni qëndruar para paragjykimeve të shqiptarëve që në të shumtë të paragjykojnë ?
Në fillim nuk ka qenë lehtë aspak, por me kohë mësohesh, tash kur nuk flasin për mua unë shqetësohem, them diçka nuk. qenka në rregull me mua (qesh).
KOHA: Në fillimet e tua kur të është besuar për herë të parë një rol i tillë e ke marrë me seriozitet, ndroje apo me gallatë?
Gjithmonë rolet i marrë me seriozitet ndonjëherë bilës e teproj, jam shumë e përkushtuar në punën time si teatër serial ashtu edhe film.
KOHA: Në gjithë këtë galeri rolesh nuk je ndier keq asnjëherë?
Ka pasë momente kur jam ndjerë keq se jo gjithmonë mundesh me e realizu një rol ashtu qysh ke qejf… ashtu se si ndihesh përbrenda ndonjëherë reflekoton edhe në rol.
KOHA: Dhe në jetën e përditshme…Jeni zhgënjyer nga të tjerët?
Në jetën e përditshme, hmmm po besoj si secili prej nesh ashtu edhe unë kom pas faza jo të mira në jetë, po kamë përjetuar zhgënjime të shumta të llojeve të ndryshme, por pas një kohe e kam pa që pikërisht këto zhgënjime unë i kam përdorë për të mirën e punës time…jam ngritë në këmbë më e fortë se asnjëherë tjetër dhe kam vazhduar tutje.
KOHA: Aktualisht, në aspektin jetësor a ndjehesh e plotësuar?
Ka momente që më duket se mungon diçka, po besoj se krejt ndonjëherë ndihemi ashtu…por i kam fëmijët e mi Lumin dhe Landin që janë gjithçka. Për mu dhe ata nuk më lejojnë të më mungoj asgjë.
KOHA: A gatuani vetë?
Më pëlqen gatimi, por s’kam kohë aspak, shumë rrallë më bie të gatuaj, por e kam mamin që përkujdeset sa i përket kuzhinës.
KOHA: Kur flitet për paranë..Lidhjen me paranë si e ke?
Ehhh si kam me pas si një shumicë në Kosovë prapë po them punoj shumë, se kjo është forma e vetme për me u munduar fëmijëve të mi me ju ofru diçka që ndoshta unë në fëmijërinë time nuk e kam pasur.
KOHA: Skena të lidh me shumë aktorë. Me cilin partner skene jeni ndjerë më mirë dhe keni interpretuar rolet tuaja më të bukura?
Në film me aktoren Adriana Matoshi, Shkumbin Istrefi, Çun Lajçi, në teatër me Semira Latifi, Shkelzen Veseli e shumë e shumë të tjerë.
KOHA: Dhe… ç’është dashuria për ju?
Uhhh dashuria është ushqim për trurin për shpirtin, por nëse nuk kujdesemi për të ose nëse e zgjedhim personin e gabuar mundë të shndërrohet edhe në helm… por s’ka më bukur se te jesh i dashuruar.
KOHA: Të pëlqen lëvizja?
Uuu shumë, jam person që nuk mund të qëndroj në një vend, gjithmonë kam nevojë për lëvizje për risi..për adrenalinë përndryshe unë si Shengyl nuk funksionoj.
KOHA: Kush janë vendet më të bukura?
Prej atyre që i kam vizitu Franca, Austria, Polonia, Italia.
KOHA: Çfarë pëlqen më shumë tek njerëzit?
Kur janë të drejtpërdrejt, kur i thonë gjanat në sy, më pëlqen kur kanë shije të mirë për muzikën, sepse mendoj muzika është njëfarë detektori…dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme mundësisht të jenë të sinqertë.