Të gjithë propozimet e Shengenit të vogël veç më ekzistojnë në marrëveshjen CEFTA, apo në Zonën Ekonomike Rajonale (REA) që u prezantua gjatë Samitit të Triestes në 2017, në kuadër të procesit të Berlinit
Nga Fisnik PASHOLLI
Shengeni Ballkanik ishte një ndër temat më të përfolura dhe debatuara në opinionet e shteteve të rajonit në javën e kaluar. Pas refuzimit të Kosovës, edhe Mali i Zi hodhi poshtë një ide të tillë që pretendon heqjen e pengesave për tregtinë e lirë dhe lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor , me arsyetimin se kjo do të ishte një humbje energjie sepse vendi ka hapur kufijtë e saj dhe ka hequr barrierat tregtare për fqinjët e saj. Mbetet të shohim në vitin e ardhshëm se sa në të vërtetë edhe do të jetësohet një nismë e tillë, duke marrë parasysh edhe kundërshtimet jo të vogla të Mini-Shengenit edhe në Shqipëri.
Shtetet ballkanike në fakt në një kohë të liberalizimit të tregtisë në Evropë dhe botë, më shumë kanë nevojë për uljen në maksimum , apo vendosjen në minimum të pengesave të ndryshme burokratike për zhvillimin e sipërmarrjes dhe hapjes së bizneseve të reja, për rritjen e konkurrencës në bujqësi dhe më shumë eksport të prodhimeve bujqësore në BE, rritjen e eksportit edhe në sfera të tjera, për fuqizimin dhe zhvillimin më të madh të blegtorisë si “mbretëreshës”, së sektorit agrar ku ta zëmë Maqedonia akoma ushqehet me mish , qumësht apo vaj nga importi në vend se nga prodhimi vendor.
Në tërë Ballkanin Perëndimor, ndoshta tatimet edhe janë të ulëta, mirëpo harxhimet e ndryshme parafiskale që nuk janë tatime, numërohen në qindra e qindra miliona euro, ku akoma biznesi ka ankesa të mëdha për punën e gjyqësorit, me një administratë të mbingarkuar që e mban një ekonomi e lodhur, ku sektori privat është i ngarkuar me qindra e qindra rregullore dhe ligje shpesh edhe të panevojshme, me pengesa administrative …..
Të gjithë propozimet e Shengenit të vogël veç më ekzistojnë në marrëveshjen CEFTA, apo në Zonën Ekonomike Rajonale (REA) që u prezantua gjatë Samitit të Triestes në 2017, në kuadër të procesit të Berlinit. Ajo prej fillimit, ishte nisma rajonale mjaft dinamike, që ofron një nxitje dhe impuls të ri ndaj perspektivës së zgjerimit të BE-së në të gjithë rajonin.
Mini Shengeni parashikohet edhe në aktivitetet e tjera si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që ndihmoi që duke filluar nga 1 korriku, qytetarët dhe bizneset në Maqedoninë e Veriut , Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi të paguajnë më pak gjatë përdorimit të telefonave të tyre celularë brenda rajonit. Marrëveshja e roamingut ishte edhe një sinjal i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe integrimit të prekshëm rajonal bazuar në ekspertizën dhe përvojën e Komisionit Evropian.
Gjithashtu një nismë e tillë është edhe Procesi i Berlinit. Me fonde dhe samite, që mbahen çdo vit – si Samiti i Poznanjit , sivjet u miratuan tetë projekte të reja infrastrukturore me vlerë prej 700 milionë euro që ka vënë në dispozicion BE , së bashku me granate prej 180 milionë grante.
Mbetet sfidë e politikbërësve në vend dhe në rajon që të ndërtojnë të ardhmen dhe më shumë të flasin për aspektin ekonomik se sa politik të euro integrimeve në rajon. Të debatohet, bisedohet dhe analizohet gjerë e gjatë dhe pa shumë politikë ditore, por në interes të bujkut dhe fabrikave vendore, se sa prodhime të industrisë ushqimore nga Maqedonia e Veriut mund të gjenden në raftet e supermarketeve të të gjitha shteteve të rajonit , dhe sa prodhimeve të industrisë ushqimore nga shtetet e rajonit mund të gjenden në ofertën e dyqaneve tona . Sa, bie fjala, djathë, qumësht, ujë të tharët, ajkë, përpunime të ndryshme të mishit, ajvar industrial, marmelata e kështu me radhë të prodhuar në Maqedoninë e Veriut, mund të blejnë konsumatorët në vendet fqinje, dhe sa të njëjtat prodhime nga shtetet fqinje ofrohen në shitoret tona. Atëherë do të shohim edhe sa e kemi konkurrencën e ekonomisë sonë në raport me pjesën më të madhe të shteteve të rajonit. (koha.mk)