Nuk është faji i tij që nuk është i aftë në këtë punë, është faji i atyre që, edhe pse po shohin rënien e menjëhershme të nivelit të shëndetësisë, vazhdojnë dhe e mbajnë ministër. Përsëris që është një mjek brilant i dënuar të vuajë dështimin si ministër! Kjo Qeveri ka falimentuar në një sektor që e kam shumë për zemër, e për më shumë që është jetike për vendin. Ndaj, mbani mjekët këtu, ose ndryshe do vijnë në fuqi kurimet popullore!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Po, kemi shëndetësisë sëmurë. E kam fjalën sigurisht për institucionin që e drejton. Jo se e kemi pasur ndonjëherë me shëndet të plotë por të paktën kishte përmirësime.
Kam shumë vite që punoj si mjek, kjo ka qenë edhe mënyra ime e jetesës me thënë të drejtën, kaloja shumë më shumë orë në klinikë se sa në shtëpi. Jam i dedikuar nga profesionit tim si shumica e kolegëve të mi. Mjekët kalojnë vite të gjata studimi, gjatë kësaj kohe ata nisin e kalisin ndërgjegjen e tyre, fillojnë të mësohen me praninë e dhimbjes, dhe si të thuash në një farë sensi janë luftëtarët frontalë të vuajtjeve dhe vdekjeve.
Por mjekët janë luftëtarë të paarmatosur këtu tek ne. Nëse do të vazhdoja të përdorja metaforën e luftëtarëve, atëherë ne jemi luftëtarë të lënë gjithë kohës në fushëbetejë por nuk kujdesen që të kemi trajtimin e duhur… Mjekët e papaguar vjen një pikë dhe shndërrohen në mjekë të dorëzuar. Kush e ka në dorë trajtimin financiar të mjekëve? Qeveria, në mënyrë specifike Ministria e Shëndetësisë.
Kjo Ministri u drejtua nga partia e Aleancës dhe mua më caktuan të punoj si ministër. Krijuam një ekip të mirë, kryesisht të përbërë nga mjek të suksesshëm në terren, këtë e theksoj pasi duke ardhur nga baza, nga puna në spital, je shumë më i qartë për mungesat titanike të spitaleve tona, duke filluar si për ironi nga mungesa e vet spitaleve. Gjatë kohës që nisëm punën krijuam një strategji të shëronim sistemin e Shëndetësisë, kështu do të krijonim më komoditet tek personeli mjekësor e si derivat do të kishim pacientë më të shëndoshë, që është edhe qëllimi i mjekësisë si shkencë.
Megjithëse të rinj si punonjës në Ministri, ishim në kohën e qeverisë Zaev që sapo ishte zyrtarizuar si e tillë, ne patëm sukses. Mua personalisht nuk më pëlqen të flas aq shumë për sukseset se sa për përpjekjet por si rrallë herë do të flas për këtë gjë pasi jam shqetësuar shumë nga rezultatet e Ministrisë së Shëndetësisë që kur e mori në duar LSDM-ja.
Kështu kur Shëndetësia drejtohej nga partia jonë, ne arritëm që të ishim ekipi më i besueshëm në popull. Kur qendra e sondazheve IRI, zhvilloi një të tillë për 6 mujorin e parë të qeverisë Zaev, Ministria e Shëndetësisë rezultoi të ishte më e besuara nga njerëzit. Në fakt ne ishim të parët në këtë listë duke kaluar dhe vet kryeministrin. Ky natyrisht që ishte sukses i jashtëzakonshëm për ne si parti, për ekipin e mjekëve, juristëve, ekonomistëve që drejtoja, ne po kthenim shpresën tek bluzat e bardha, e cila me thënë të drejtën është kryesorja në marrëdhënien e komplikuar të sëmundjes me individin.
Gjithsesi, ky nuk është ndonjë përvjetor i punës tonë në Ministri, pasi unë e lashë atë vend pune e tash punoj si Kryetar Komune në Gostivar (Eja në Gostivar), partia e Aleancës ku bëj pjesë nuk ishte dakord me rikthimin e politikave të vjetra dhe u kthye në partinë e parë që do braktiste qeverinë, ndaj e theksoj që pas largimit tonë ne nuk kemi ndonjë lidhje në sukseset apo mos sukseset e qeverisë, por e përmenda IRI-in dhe faktin që Ministria e Shëndetësisë që drejtoja doli e para në listën e besueshmërisë, pasi tani për fat të keq, nga një sondazh të zhvilluar nga televizioni Telma, një nga ministritë që populli beson më pak është pikërisht e shkreta ministri e Shëndetësisë.
Në vitin 2017 patëm fatin e madh që të kishim eksodin më të vogël të mjekëve krahasuar me vitet e tjera. Ne punonim që t’i mbanim mjekët këtu ndaj ata nisën të rrinë, pasi u largua ASH-ja nga posti natyrisht nuk u largova nga bindja që çdo gjë do shkonte mirë në këtë institucion, por u shqetësova kur dëgjova që në periudhën që ministria udhëhiqet nga një ekip i ndërtuar nga LSDM-ja, brenda 4 muajve kanë 110 mjekë… humbje e madhe për vendin! Tani këtë analizë nuk e bëj se dua të fitoj pikë politike, jam shumë mjek për të bërë politikë me shëndetin e njerëzve,dhe pikërisht se jam i tillë jam mësuar që për të kuruar një sëmundje duhet gjetur shkaku!
Shëndetësia në Maqedoni ka anemi mjekësh e Zot na ruaj mund të kaloj në leukemi fatale që s’do ngelet këmbë mjeku! Ku është problemi?! Sigurisht një pjesë e mirë do thonë “ministri Filipçe”. Nuk është se dua ta zhvesh nga përgjegjësia, sigurisht dhe ai ka të tijat, e ndoshta po, më të mëdhatë, por sigurisht dhe ai që e ka vendosur si të tillë. Venko Filipçe është një doktor i talentuar, është një nga neurokirurgët më të mirë që kemi, është një shok i mirë i imi, por mos e dënoni duke e lënë ministër.
Nuk është faji i tij që nuk është i aftë në këtë punë, është faji i atyre që, edhe pse po shohin rënien e menjëhershme të nivelit të shëndetësisë, vazhdojnë dhe e mbajnë ministër. Përsëris që është një mjek brilant i dënuar të vuajë dështimin si ministër! Kjo Qeveri ka falimentuar në një sektor që e kam shumë për zemër, e për më shumë që është jetike për vendin. Ndaj, mbani mjekët këtu, ose ndryshe do vijnë në fuqi kurimet popullore!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)