Partneriteti privat-publik është një iniciativë e mirë, por duhet strategji për ta zhvilluar, sepse shumë qytetarë janë në shkallë të lartë të varfërisë dhe dëmtohet xhepi i tyre
Delvina KËRLUKU
Shkup, 12 prill – Vështirësitë me të cilat ballafaqohen qytetarët për çdo ditë gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore dhe të dhënat statistikore për shkallën e lartë të vdekshmërisë së foshnjave, janë tregues të gjendjes alarmuese që mbretëron në shëndetësinë e vendit, shkruan gazeta KOHA. Në anën tjetër, për shkak të kushteve të pafavorshme për punë, shqetësim më vete mbetet edhe largimi i mjekëve nga vendi, që është trend në rritje, gjë që edhe më shumë e dobëson sistemin publik shëndetësor dhe e bën edhe më të pasigurt shëndetin e qytetarëve.
Por, cilat janë aftësitë dhe kontributi i Ministrisë së Shëndetësisë për të formuluar orientimin e politikave strategjike, për të siguruar rregullimin e mirë, mjetet për zbatim, dhe informacionin e nevojshëm mbi funksionimin e sistemit shëndetëso?
Ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë për gazetën Koha, se sistemi i shëndetësisë publike nuk arrin që t’i përmbush qëllimet e tij, ndërsa çmimet e ilaçeve e trajtimeve në spitalet private janë të papërballueshme për shumicën e popullsisë. Premtime për një sistem të sigurimeve shëndetësore publike janë dhënë shpeshherë, por edhe më shumë kemi parë dështime për t’i kryer punët brenda afateve të vetë caktuara. Ikja e kuadrove mjekësore konsiderohet si mjaft shqetësuese për vendin.
“Nëse bëjmë një krahasim prej numrave që e jep Oda e Mjekëve, për largimin e mjekëve nga vendi, shihet se vetëm në vitin 2016 kanë ikur 180 mjekë, në 2017 kur ne ishim në qeveri, pra unë ministër, ka një rënie të dukshme, dhe në 2018 ky numër gati trefishohet, ku 250 mjekë veçse kanë ikur nga vendi. Ministria e Shëndetësisë aktualisht nuk ka një strategji për punën në dhjetë vitet e ardhshme. Jemi i vetmi shtet në regjion që nuk dihet si të zhvillohet e nga të ec”, nënvizon Taravari. Sipas tij, partneritetin privat-publik është një iniciativë e mirë, por duhet strategji për ta zhvilluar, sepse shumë qytetarë janë në shkallë të lartë të varfërisë dhe dëmtohet xhepi i tyre.
Megjithatë, me ndryshimin e Ligjit për Kujdesin Shëndetësor, këtë vit për herë të parë në vendin tonë çdo mjek i ri ka një shans për t’u angazhuar në sistemin e shëndetit publik. Kjo do të thotë se çdo mjek që e përfundon praktikën dhe do të marrë leje për punë do të përfshihet në sistemin e kujdesit shëndetësor, do të paguhet për punën e tij dhe do të fillojë të fitojë përvojë në ambulancë, pikat e vaksinimit dhe në sistemin e kujdesit – patronazh. Me këtë reformë, mjekët e rinj përfitojnë mundësi për të marrë përvojë, të paguhen për punën e tyre dhe të kenë mundësinë për të punuar menjëherë pas përfundimit të stazhit të tyre. Që nga viti i kaluar, specializantët kanë marrë për herë të parë një pagë për punën e tyre në shumën e pagës mesatare të një mjeku. Deri në vitin 2020, pagat e mjekëve specialistë të shëndetit terciar do të rriten në një shkallë dhe do të arrijë në 100 mijë denarë, ose 1.600 euro. (koha.mk)