Agjencia e Përdorimit të Gjuhëve ka renditur një sërë vërejtjesh sa i takon mosrespektimit të gjuhës shqipe në sektorin e shëndetësisë, shërbimet ambulatore dhe farmaceutike, “Termini im”, Fletudhëzimet, dokumentacioni mjekësor, recetat… e deri te vulat në to. Vulat dygjuhëshe nuk përdoren as nga mjekët shqiptarë. “Nëse këtë nuk e bëjnë mjekët shqiptarë, si mund ta bëjnë të tjerët?”, konstatohet në analizë
Evis HALILI
Shkup, 6 maj – Shëndetësia është një prej fushave ku përdorimi i gjuhës shqipe është jashtëzakonisht i kufizuar. “Termini im”, Fletudhëzimet, dokumentacioni mjekësor, recetat… e deri te vulat si të mjekëve, por edhe të institucioneve, shërbimet ambulatore dhe farmaceutike – janë apostrofuar nga Agjencia e Përdorimit të Gjuhëve si më problematiket sa i takon konsekuencës për zbatimin e gjuhës shqipe. Në një analizë të bërë nga ky institucion e ku veçohet sektori i shëndetësisë, si segment i rëndësishëm i jetës, ku pavarësisht se dispozitat ligjore obligojnë institucionet të jenë rigoroze në zbatimin e ligjit për shkaqe të ndryshme, objektive ose subjektive, ato nuk respektohen në tërësi, shkruan gazeta KOHA.
APGJ ka vërejtur lëshime serioze që nga ambulancat e deri te spitalet që përdorin programin softuerik “Termini im”, faqja e internetit e së cilës është e përgatitur vetëm në gjuhën maqedonase, emërtesat e institucioneve shëndetësore, emrat e mjekëve, udhëzimet bëhen vetëm në një gjuhë. Vetëm në maqedonisht komunikohet edhe midis institucioneve shëndetësore. Kjo do të thotë se “kartonët” personalë të pacientëve nëpër ambulanca, historitë e sëmundjeve që dokumentohen në spitale, fletudhëzimet nga ambulanca për në spital dhe fletudhëzimet ndërklinike, e deri te recetat, duhet të jenë shkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, por që deri tani nuk është bërë praktikë e rregullt.
“Ndonëse mund të tingëllojë utopike, raportet mjekësore duhet të jenë të plotësuara në dy gjuhë. Edhe pse mund të duket se shkakton probleme praktike, si shtet shumetnik e shumëgjuhësor, duhet të zbatojmë praktika të avancuara të disa vendeve që këtë e zbatojnë prej kohësh”, konstatohet nga APGJ. Në fushën e farmacisë konstatohet mospërputhje midis nevojës së pacientëve dhe zbatimit të LPGj në njërën anë, dhe praktikës së prodhuesve të barnave, në anën tjetër. Problemi qëndron te “udhëzuesi” i barnave, që shpesh është shkruar në gjuhë të huaja dhe maqedonisht, e ndonjëherë vetëm në gjuhë të huaja, kurse gjuha shqipe në to përdoret shumë rrallë. Agjencia kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’i detyrojë prodhuesit dhe rrjetin shpërndarës që barnat të kenë udhëzues në më shumë gjuhë, ngjashëm siç dikur ka qenë praktikë në ish-Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë, e cila në masë të madhe i plotësonte nevojat e pacientëve që karakteristikat e barnave, mënyra e përdorimit apo efektet anësore shkruheshin në të gjitha gjuhët që ishin zyrtare asaj kohe.
Vulat e mjekëve, edhe pse krijojnë përshtypjen se nuk kanë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë tek shërbimet mjekësore, por që gjithsesi nëse do të ishin dygjuhësore mund të thellonin besimin e ndërsjellë mjek-pacient. “Atë nuk e zbatojnë madje as mjekët shqiptarë, të cilët ndoshta nga frika për t’u paragjykuar, ose nga shpërfillja e këtij detyrimi ligjor, nuk i kanë bërë vulat në dy gjuhë. Nëse këtë nuk e bëjnë mjekët shqiptarë, si mund ta bëjnë të tjerët?”, konstatohet në analizë. Sa i takon emërtesave të institucioneve vihen re lëvizje pozitive, sidomos për fushata të ndryshme edukative, por jo të gjitha subjektet veprojnë sipas nevojave të pacientëve dhe sipas ligjit.
LIGJI I PËRDORIMIT TË GJUHËVE
(1) Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. (2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. (3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.
(2) “Vulat e institucioneve nga neni 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) të këtij ligji dhe të të gjitha institucioneve tjera me seli në Shkup apo në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj”. (koha.mk)