Ishte 5 shtatori i vitit 1997, kur lajmi për ikjen nga kjo botë të Nënë Terezës pushtoi titujt e mediave botërore. Shqiptarja trupimët e Kalkutës, që pjesën më të madhe të jetës iu qëndroi pranë të sëmurëve dhe të varfërve, vdiq në moshën 87 vjeçe, shkruan sot Koha Ditore.
Kur u nda nga jeta, ajo pas vetes kishte lënë një trashëgimi të qëndrueshme: një kongregacion katolik me 4 500 murgesha, që sot është aktiv në 133 vende gjithandej botës.
E konsideruar si simbol i humanitarizmit në shekullin njëzet, më 17 tetor 1979, Tereza mori çmimin “Nobel” për paqe, “për punën e ndërmarrë në betejën për të kapërcyer varfërinë dhe fatkeqësinë, që përbëjnë kërcënim për paqe”.
22-vjetori i vdekjes së saj ishte strumbullari i ditëfestës liturgjike që u kremtua solemnisht të enjten në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, pas dhjetë ditëve, të Ditëve të Nënë Terezës, që nisën më 26 gusht, në ditën e lindjes së saj.
Pas pritjes së besimtarëve dhe miqve të shumtë, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, imzot Dodë Gjergji, ka filluar meshën solemne për shqiptaren, të cilën në shtator të vitit 2016 Papa Françesko e kanonizoi si Shën Tereza e Kalkutës.
Ai ka thënë se 5 shtatori gjithmonë bashkon njerëzit në katedralen e Prishtinës për të përkujtuar Nënë Terezën që, sipas tij, ishte “modeli më i mirë i jetës”.
“Kjo murgeshë e shenjtë mbetet modeli më i mirë i jetës dhe jetësimit të dashurisë së krishtenë në botën që e njohim ne, por edhe lidhet mirë me shembullin dhe realizimin e asaj çfarë kemi lexuar sot në leximin e Shkrimit të Shenjtë” ka thënë ai.