Evis HALILI
Shkup, 6 maj – Pjesëmarrja e parë e Maqedonisë në Panairin Ndërkombëtar të Librit që nis këtë javë në Varshavë, Poloni, lë shumë për të dëshiruar. Përzgjedhja që kanë bërë organizatorët, Biblioteka universitare “Shën Klimenti i Ohrit”, për të prezantuar autorët bashkëkohorë nga Maqedonia është e tillë që mes tyre të mos figurojë dhe as të jetë prezent asnjë autor shqiptar, shkruan gazeta KOHA. Panairi i Varshavës që zhvillohet nga datat 17 – 21 maj, konsiderohet si një prej manifestimeve më të rëndësishme të librit në Evropë. Aty çdo vit marrin pjesë rreth 800 botues nga 32 shtete nga e gjithë bota, ndërsa në edicionin e këtij vit i ftuar nderi është Gjermania. Po ashtu, ky panair i shtohet radhës së panaireve të tjerë ku promovimet që financohen nga buxheti i shtetit janë selektive, duke i lënë kështu librit shqip destinacionin më pak të financuar e të vetëm të prezantimit – atë të panairit të Librit në Stamboll. Sipas vetë informacionit të dhënë prej tyre për këtë pjesëmarrje në panairin e Varshavës janë përpiluar enkas broshura në gjuhën polake dhe angleze për prezantimin e 14 autorëve maqedonas, poetë e romancierë, me qëllim që lexuesi vendas botuesit e huaj të njihen me arritjet në letërsi. Manifestimi qendror do të jetë dita maqedonase, të shtunën më 20 maj, ku në sallën kryesore të promovimeve poezia dhe proza bashkëkohore do të prezantohen nga tre autorë, Bllazhe Minevski, Jovica Tasevski – Eternijan dhe Vladimir Ilienski, manifestim ky që organizohet edhe në bashkëpunim me ambasadën e Maqedonisë në Varshavë. Një tjetër moment i posaçëm është ai për presidentin Gjorgji Ivanov. Organizatorët një kënd të librit të shkruar prej tij “ Mesazhet e shenjtit Kliment i Ohrit”, promovim ky që bëhet në bashkëpunim me kabinetin e presidentin, me rastin e shënimit të 1100 vjetorit të vdekjes së Klimentit të Ohrit. “Me qëllim që letërsi e re maqedonase të afrohet sa më mirë për lexuesin polak dhe shtypit e atjeshme botuese kemi përgatitur dhe publikuar enkas broshura të posaçme në gjuhën polake për prezantimin e 14 autorëve maqedonas bashkëkohorë, që i takojnë gjeneratës së re dhe të mesme. Broshurat përmbajnë bio-bibliografi, fragmente të shkurtra nga librat e tyre, poezi apo romane si edhe kritikë për veprat e shkruara nga to. Këto materiale së bashku me informacionet e Ministrisë së Kulturës për botuesit e huaj do të shpërndahen në polonisht dhe anglisht për botuesit polakë dhe të huaj”, informojnë nga biblioteka. Në stendën e Maqedonisë do të ekspozohen po ashtu 300 botime nga letërsia, kultura dhe arti, të përzgjedhura nga projektet botuese kapitale 125 vëllimet e “Letërsisë Maqedonase”, si edhe antologji të botuara në gjashtë gjuhë të huaja (rusisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, kineze dhe arabisht). Libri dhe autorët vendas prezantohen disa herë gjatë vitit në panaire ndërkombëtare, si ai i Frankfurtit, Goteborgut, Lajpcigut, e të tjera. Këto prezantime janë edhe ndër më të kushtueshmet, jo vetëm për sipërfaqet e mëdha të stendave, por edhe për shkak se përveç promovimit të letërsisë, zhvillohen një sërë aktivitetesh edhe me qëllim promovimin e trashëgimisë dhe turizmit. Ndërsa Panairi i Stambollit, një manifestim i rëndësishëm i librit, është destinacioni i vetëm për botuesit shqiptarë dhe më shumë sesa nga Ministria e Kulturës, prezantimi prej disa vitesh është bërë traditë që të financohet dhe mbështetet nga pala turke.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara