Shahisti i mirënjohur nga Kumanova, Agim Shemshiu, ka marrë një mirënjohje të madhe. Ai si refer i federatës botërore do të marrë pjesë në kampionatin europian të shahut, i cili nga 6, 7, 8 dhe 9 dhjetor të këtij viti do të mbahet në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup.
Në këtë europian pritet të marrin pjesë mbi 500 shahistë, mes të cilëve mbi 100 kryemjeshtër. Agim Shemshiu do të jetë i vetmi arbitër FIDE-s në shah nga këto troje.
“Para ca kohësh Federata botërore më ndau titullin arbitër i FIDE-s dhe tani do të jem në mesin e referëve kryesor në kampionatin europian të shahut që do të mbahet në Shkup, në javën e parë të dhjetorit”, tha Shemshiu për Lajm.
Ndryshe, Shemshiu, njihet si një organizator i shkëlqyeshëm i disa turneve në shah si psh: Fadil Nimani në Likovë, Arbër Xhaferi dhe Mahi Halili në Tetovë e të tjerë. Ai me vite të tëra ka luajtur për disa klube të shahut në Kosovën, të cilëve iu ka sjell titujë dhe kupa të ndryshme.