Kosova dha shembullin më të mirë të demokracisë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Politikanët në Maqedoninë e Veriut tani e kanë shansin të marrin leksione nga zgjedhjet në Kosovë dhe të paktën – të mund t’i zbatojnë këtu tek ne, sidomos në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë
Xhenur ISENI
Shkup, 16 shkurt – Kosova dha shembullin më të mirë të demokracisë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Zgjedhje të organizuara brenda 40 ditëve e që kaluan në një atmosferë demokratike. Politikanët në Maqedoninë e Veriut tani e kanë shansin të marrin leksione nga zgjedhjet në Kosovë dhe të paktën – të mund t’i zbatojnë këtu tek ne. Fushata në Kosovë edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, ka qenë e qetë me përjashtime të vogla. Ajo që ra në sy në këtë fushatë ka të bëjë me faktin se, aktivistët e partive politike kanë qenë shumë larg skenës dhe kritikave duke u lëshuar vendin liderëve të cilët akuzonin njëri-tjetrin për dështimet dhe për aferat korruptive. Por në fund, të gjithë liderët pranuan rezultatin e zgjedhjeve dhe mesazhin që dha populli, pa asnjë vërejtje dhe kontestim. Kështu e perceptojnë njohësit e proceseve politike procesin zgjedhorë dhe rezultatet e dalura nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Ata thonë se establishmenti politik shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të merr shembull për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por edhe në prezantimin e ofertave politike gjatë fushatës zgjedhore.
Analisti politik, Berat Azizi, shprehet se fituesi i zgjedhjeve të djeshme në Kosovë, Albin Kurti gjatë fushatës kishte zgjedhur rrugën tjetër, pra ai nuk kishte synim kundërshtarin politik, por shpalosi planet dhe programin e tij duke synuar krijimin e një shumice të pavarur dhe të pandikuar nga partitë tjera politike. Sipas tij, fitorja e Albin Kurtit do të ketë ndikim të madh edhe në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, por nuk do të favorizojë asnjë parti politike, sepse rrethanat politike dhe zgjedhore në vendin tonë dallojnë shumë nga ato në Kosovë.
“Ndikimi më i madh i Kurtit te partitë tona do të jetë mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve që kishte bërë ai, futja në listë e emrave të rinj dhe largimi i kastës së vjetër politike. Partitë politike shqiptare në Maqedoni nga Kurti duhet të kopjojnë mënyrën e formulimit të listave duke i dhënë përparësi meritokracisë, dijes, të pa korruptuarve, dhe njerëzve moralisht dhe kombëtarisht të pastër. Vetëm ky model nëse aplikohet nga liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, ne do të mund të krijojmë një përbërje mjaft të aftë dhe vizionare, e cila do të mund të ballafaqohet edhe me kundërshtarin politik maqedonas për të çuar përpara proceset politike. Në anën tjetër, çdo tentim për t’u afruar me LVV me qëllimin për të përfituar politikisht – nuk do të prodhojë efekt nëse nuk zbatohen parimet kryesore – ajo e meritokracisë, dijes, vizionit, pastërtisë morale dhe përgatitjes profesionale”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi.
Fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit bashkë me Vjosa Osmanin tregon në radhë të parë për një zhgënjim të akumuluar të elektoratit në Kosovë me partitë tjera, të cilat tashmë ndodhen secila përpara një delegjitimimi në elektoratin që konsiderohet tradicional, thotë Bardhyl Zaimi, analist. Ai shprehet se kjo është një fitore e një opozitarizmi këmbëngulës të Kurtit, tek i cili elektorati i Kosovës ka identifikuar tashmë figurën dhe momentin e ndryshimit, daljes nga labirinti i koalicioneve shpeshherë shterpe dhe joparimore. “Padyshim është një fitore e opozitarizmit të pakompromis që ndërlidhet me kauzën e gjatë dhe me shumë sfida të Albin Kurtit. Në fakt, ky është një shembull për të gjitha partitë se si kauza ngadhënjen kur kontrata me elektoratin formësohet si vizion politik ditë për ditë, duke delegjitimuar partitë qeverisëse dhe duke ofruar një vizion politik që është në përputhje me pritjet e qytetarëve”, shprehet Zaimi. Ai mes tjerash shprehet se fitorja e ish-kryeministrit Kurti do të reflektojë energji pozitive, por megjithatë varet nga aktorët e jetës politike në RMV.
“Se sa do të reflektojë te shqiptarët e Maqedonisë, kjo do të varet nga vetë aktorët e jetës politike këtu, nga fakti sa do të përbrendësojnë modelin dinamik të këtij opozitarizmi që është performuar ndër vite. Sigurisht që do të reflektojë energji pozitive, e cila do të duhet të dimensionohet në dinamika tjera politike. Ekziston predispozita, por ajo do të determinohet nga realitetet specifike politike në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar për KOHA, Bardhyl Zaimi, analist. Përndryshe, sipas rezultateve preliminare, të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 17.31 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13.38 për qind. Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.57 për qind. Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.
Kandidati i LVV për kryeministër Albin Kurti tha se qytetarët u bënë bashkë dhe u vërtetua se zgjedhjet ishin referendum. Ai falënderoi qytetarët dhe mërgatën, policët dhe të gjithë ata që mundësuan këtë votim. Kurti falënderoi edhe opozitën e ardhshme për rol konstruktiv. “Na presin shumë punë dhe angazhim, sepse vendi është në krizë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi për secilin. Pra drejtësi pa hakmarrje”, theksoi Kurti. Ndërsa i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i partive që i humbën zgjedhjet. PDK-ja dhe AAK-ja kanë uruar Vetëvendosjen për fitoren, pa asnjë kontestim duke respektuar në maksimum vullnetin e qytetarit të Kosovës që dje tha pastër fjalën e vet. AAK-ja ka thënë se mbetet e hapur për koalicion të mundshëm me partinë e Kurtit, por PDK-ja dhe LDK-ja kanë thënë se do të qëndrojnë në opozitë. (koha.mk)