Profeti Muhamed me misionin e tij vazhdon të jetë i pranishëm edhe pas vdekjes së tij. Ai mbetet shembull dhe udhërrëfyes në jetë, nëpërmjet dijes, planifikimit, politikës, paqes, fuqisë ushtarake dhe ekuilibrit mes të vërtetës dhe drejtësisë dhe mes mendjes dhe shpirtit
Nga Rexhep TORTE
Amër Halid në librin e tij më titull “Gjurmëve të të dashurit tonë” bën një prezantim lakmues të Profetit Muhamed duke pasqyruar e dëshmuar përvojën më të suksesshme për zhvillimin e një populli në historinë e njerëzimit. Profeti Muhamed u lind jetim, nuk dinte shkrim e lexim por brënda njëzet viteve e bëri një popull që ti udhëhiqte popujt e tjerë. Me ardhjen e Profetit Muhamed, me shpalljen e Kur’anit dhe me ardhjen e fesë Islame ndryshoi tërësisht në aspektin pozitiv Gadishulli Arabik, Afrika, Andaluzia (Spanja), Republikat Sovjetike. Feja Islame në Lindje arriti gjer te Muri Kinez. Pjesa tjetër e Europës jetonte në terrin mesjetar. Evropa zhvillimin e saj e bazoi në dijen dhe shkencat islame nga ku mësoi vlerën e lirisë, të të drejtës dhe të barazisë.
EZANI TUBON MILIONA MUSLIMANË NË NAMAZ, IFTAR DHE HAXH
Shumë figura botërore kanë përfunduar famën e tyre së bashku me vdekjen. Ndërkaq Profeti Muhamed vazhdon të mbetet i pranishëm edhe sot e kësaj dite. Thirrja e ezanit dhe e mesazhit të Profetit Muhamed sot jehon në xhamitë e mbarë botës. Ezani i xhamive mbledh miliona muslimanë me familjet e tyre rreth sofrës në muajin e Ramazanit. Qaben e Shenjtë gjatë Haxhit e vizitojnë miliona muslimanë.
Profeti Muhamed me misionin e tij vazhdon të jetë i pranishëm edhe pas vdekjes së tij. Ai mbetet shembull dhe udhërrëfyes në jetë, nëpërmjet dijes, planifikimit, politikës, paqes, fuqisë ushtarake dhe ekuilibrit mes të vërtetës dhe drejtësisë dhe mes mendjes dhe shpirtit.
Profetin Muhamed Allahu i Madhërishëm e pajisi me të gjitha vlerat që i nevojiten njerëzimit gjer në Ditën e Kijametit. Dhe këtë e bëri brenda 23 viteve duke ia shpallur Profetit Muhamed Kur’anin hyjnor nëpërmjet Xhebrailit, që zgjati 13 vite në Meke dhe 10 vite në Medine.
Profeti Muhamed njihet si personaliteti më i lartë në historinë e njerëzimit me cilësitë e tija sepse nuk ishte hakmarrës, nuk e shkilte premtimin nuk gënjente dhe çdo hap e bënte mbi bazën e drejtësisë. Morali i Profetit Muhamed ishte Kur’ani.
Dy perandoritë më të mëdha të asaj kohe ajo Perse dhe ajo Romake u shkatërruan sepse atyre u mungonte drejtësia dhe Allahu i Madhërishëm e dërgoi Profetin Muhamed që nga shkretëtirat e Mekës ta vendoste drejtësinë në çdo vend ku arriti feja Islame. Në Kur’an nuk gjen asnjë fjalë të vetme e cila nxit konflikte qytetërimesh.
Para lindjes së Profetit Muhamed gadishulli Arabik përbëhej nga fise që ishin në luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Banditët plaçkitnin karvanët dhe merrnin robër të rinjtë dhe fëmijët duke i shitur në vendet tjera. Padrejtësia dhe frika sundonin kudo. Qabja ishte e rrethuar me 360 idhuj të ndryshëm. Gratë nuk kishin asnjë të drejtë. Asokohe bëhej edhe groposja për së gjalli e vajzave, ndërkaq në Egjipt Faraoni vriste fëmijët meshkuj. Profeti Muhamed i edukonte edhe fëmijët që të jenë të lirë dhe krenarë për veten e tyre.
Lindja e Profetit Muhamed ishte e zakonshme nga nëna Amineja në kohën e shkatërrimit së ushtrisë të Ebrehas e cila i ishte vërsulur Qabes. Babai Abdullahu pasi ishte martuar me Aminen kishte udhëtuar me karvan pa e ditur se gruaja e tij është shtatzënë. Me tu kthyer për në Mekë në Medine sëmuret dhe vdes.
Muhamedi ishte Profeti i fundit që do të vinte në tokë. Asokohe në Mekë jetonin Kurejshët të cilët e kishin zakon që fëmijët e porsalindur dy vite ti dërgonin në shkretëtirë ku i mëkonin gratë e fisit Benu Sad, mbi bazën e një shpërblimi me qëllim që fëmijët të zhvilloheshin fizikisht në natyrë dhe ajër të pastër. Meqë Muhamedi ishte jetim dhe i varfër që së bashku me nënën jetonin te gjyshi, atë e mori Halimja e cila nuk deshi të kthehej duarbosh në familjen e saj Muhamedi i kaloi dy vitet si një fëmijë i mbarë dhe i shëndetshëm.
Fatkeqësitë e mësonin të kujdesej për veten duke u mbështetur në forcat e veta, të ishte serioz, të mësohej me përgjegjësi, vullnet dhe elasticitet në marrëdhënie me njerëzit duke u mësuar si të reagojë në situata të ndryshme. Në moshën 8 vjeçe i kërkoi xhaxhait ti mundësojë që të punojë duke kullotur delet sepse nuk dëshironte të jetojë në kurrizin e të tjerëve. Kullotja e deleve e pajisi që të ketë durim dhe dëshirë për bashkim. Në moshën 15 vjeçe e luti xhaxhain që ti mundësojë të merret me tregëti dhe të udhëtojë me karvanet tregtare, gjë që i mundësoi ti njeh më mirë problemet e jetës, njerëzit, shtetet e ndryshme dhe kulturat e tyre, si edhe mësoi edhe artin e luftës. Në moshën 25 vjeçe martohet me Hatixhen një grua e pasur dhe e suksesshme në tregti, pasi kjo grua e kishte parë moralin madhështinë dhe vlerat e tij. Kjo martesë u kurorëzua me respekt të ndërsjellë. Vdekja e dy djemve të tyre ishte sfida e radhës që Muhamedi të kuptojë se kjo botë nuk vlen gjë dhe se duhet jetuar për diçka më të madhe.
KUR’ANI UDHËRRËFYES PËR JETË TË LUMTUR NË KËTË BOTË DHE NË XHENET
Kur’ani është libri i fundit që erdhi nga Zoti nëpërmjet Profetit Muhamed. Kur lexon Kur’anin fjalët renditen dhe rradhiten në vepër unike të madhërrishme në dritën e krijuesit, dhe që nuk mund të krahasohet me tërë veprat të shkruara në gjuhën arabe.
Në shpellën Hira kur Muhamedi i mbushi 40 vite dhe pasi që kishte fituar përvojën e duhur familjare, edukatën për çështjen e jetës dhe ato sociale, si edhe përvojat ushtarake dhe vetëdijen e fuqishme për paqe duke mos përjashtuar mëshirën ndaj njerëzimit në përgjithësi. Këtu u bë takimi i parë i Muhamedit me Xhebrailin i dërguar nga Allahu dhe filloi shpallja e Kur’anit me fjalën “Lexo”. Ky mesazh tregonte se koha e mrekullive ka përfunduar se tani fillonte epoka e dijes, e planifikimit dhe se kjo epokë fillonte me Profetin Muhamed dhe me popullin e tij. Muhamedi nuk dinte shkrim e lexim, por si i dërguar i Zotit ai po e mëson mbarë njerëzimin. Sipas tij namazi është shtylla e fesë Islame, ai është dritë dhe shërim për besimtarin.
Plani afatgjatë i Profetit Muhamed vijoi me gjetjen e burrave dhe të grave të sukseshme e të devotshme në shoqëri duke i shtuar përkrahësit e tij. Hatixheja, Ebu Bekri dhe djaloshi 10 vjeç Ebu Talibi ishin besimtarët e parë. Profeti Muhamed jobesimtarëve u fliste për Islamin në gjuhën që ata e kuptonin dhe ky komunikim u tregua i suksesshëm. Armiqtë reaguan ashpër ndaj mesazhit të Muhamedit duke e quajtur “Poet”, “Magjistar”, i “Çmendur” dhe duke e fyer dhe torturuar edhe fizikisht. Megjithatë Profeti nuk u mposht por vazhdoi rrugën e tij përkundër vuajtjeve, sepse Zoti e ruante dhe i falte durim. Siç vuante Profeti ashtu vuanin edhe shokët e tij, por Profeti i inkurajonte se Zoti do tu hakmerret për sjelljet e tyre dhe ashtu ndodhte. Muslimanët edhe pse keq trajtoheshin shprehnin qetësi dhe nuk revoltoheshin siç revoltoheshin Kurrejshët që torturonin dhe jetonin në kulmin e zemërimit. Muslimanët vazhdonin rrugën e tyre pa e thyer askënd dhe pa u hakmarrë, që fëmijët e torturuesve të mos kishin asnjë arsye për ta pranuar Islamin duke thënë se “Zoti është më i madhi, nuk ka tjetër veç tij dhe se Muhamedi është i dërguari i tij”. Profeti duke sakrifikuar për mesazhin e vërteta po triumfonte dhe njerëzit e kuptonin se nuk duhet jetuar vetëm për interesat personale. Në këto kohë ishin Kurejshët e pasur por pa besimin e vizionin për të ardhmen, dhe muslimanët e varfër por të fuqishëm me besimin e tyre në Zot. Kjo i ngjante dyluftimit të monedhës false me atë të vërtetë. Profetit me zemër sfiduese, mëshirues dhe i butë Kurejshët gjatë bisedave i thoshin se mesazhi yt është i rrezikshëm, se na ke përçarë dhe se ke ndarë babanë nga i biri. Profetit i ofrojnë pasuri, pushtet, apo gruan më të bukur, por ai i refuzonte dhe si përgjigje u lexonte pjesë nga Kur’ani. Kështu armiqtë e kuptonin se fjalët e tij nuk ishin poezi, magji, por të ëmbla dhe plot hijeshi.
BESA E MADHE E AKABESË, VENDIMTARE PËR ISLAMIN
Kjo gjendje zgjati tre vite duke shkaktuar vuajtje të mëdha saqë filluan të ushqehen me gjethe por qëndruan të palëkundur dhe nuk e dorëzuan Profetin Muhamed dhe as Profeti nuk hoqi dorë nga ideja e tij për përhapjen e mesazhit dhe se namazi është takim mes robit dhe Zotit. Ndërkohë Allahu shpallte ajetet me të cilat e qetësonte Profetin së bashku me muslimanët e tjerë. Në të njëjtën kohë Allahu i dërgoi shpalljen Profetit se ka dërguar krimbin për ta gërryer dokumentin e bojkotit duke i lënë vetëm fjalët “Në emrin tënd o Zot” kjo mrekulli i detyroi Kurejshët që ta ndërpresin bojkotin.
Profetin armiqtë nuk arritën ta dëshpërojnë dhe as ta frikësojnë. Ai vazhdoi aktivitetin e tij duke udhëtuar për në Taif për të kërkuar ndihmë nga fiset e atjeshme për misionin e tij, por për fat të keq ato fise nuk e ndihmojnë por e ofendojnë dhe e gurëzojnë. Megjithatë ai vazhdoi aktivitetin e tij duke u mbështetur te Zoti. Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit nga Qabja për në Jerusalem për në xhaminë Aksa dhe udhëtimi i tij në 7 palë qiej brenda një nate, ku u takua me Allahun i shoqëruar nga Xhebraili, ishin mrekullitë e radhës. Profeti përhapjen e mesazhit e vazhdoi gjatë mbajtjes së Haxhit në Mekë ku takonte grupe të rinjsh nga Medina të cilët pranojnë Islamin dhe në këtë mënyrë bashkoi 26 fise që luftonin njëri tjetrin duke arritur Besën e madhe të Akabesë që ishte vendimtare në historinë e Islamit. Përmbajtja e kësaj bese ishte që Medinasit ti binden Profetit në të mirë e të keqe të shpenzonin pasuritë e tyre në të mirë e të keqe, të urdhëronin për mirë dhe të ndalonin nga e keqja, të mos frikësoheshin dhe të mos tërhiqeshin në çaste të vështira, ta mbronin nëse Profeti shkonte te ata, ashtu siç i mbronin familjet dhe fëmijët e tyre. Kjo ia hapi rrugën Profetit që të shkonte në Medine si i pari i tyre, të kontribuonin për shtetin Islam që do të formohej. Më vonë për t’ju shmangur vuajtjeve dhe keqtrajtimeve që muslimanët i përjetonin nga Kurejshët, Profeti organizoi migrimin e muslimanëve nga Meka për në Medine ku themeloi Shtetin e parë Islam dhe nënshkroi Marrëveshjen të Akabesë. Kjo u bë me qëllim për sigurinë e brendshme dhe të jashtme për tu kuptuar se atdheu është i të gjithëve me të drejtat themelore për të gjithë. Megjithatë kjo marrëveshje u prish nga disa fise arabe të cilët e tradhëtuan, duke mos pranuar mesazhin Islam. Profeti hyri në luftë me çifutët për shkak se ata i shkelën ligjet dhe vlerat e shoqërisë ku jetonin. Në fjalimin e tij në Medine Profeti Muhamed tha: “Përhapeni paqen, ushqeni ata që kanë nevojë, shkoni mirë me farefisin dhe faluni natën”. Në Medine u ndërtua edhe xhamia për lutje ndaj Zotit dhe për bashkimin e vëllazërimin e shoqërisë.
LUFTIMET QË ZHVILLOI PROFETI MUHAMED
Shpërngulja e muslimanëve nga Meka në Medine u bë në mënyrë të fshehtë dhe i fundit u shpërngul Profeti Muhamed i shoqëruar nga Ebu Bekri. Në Medine muslimanët u pritën me dashamirësi nga Ensarët, banorët vendas, por jo edhe nga çifutët dhe hipokritët. Në Medine u themelua edhe shteti i parë Islam.
Profeti Muhamed dëshmoi aftësi administrative, reformim të shoqërisë, energji shpirtërore, marrëdhënie me njerëzit si burrështeti dhe durim në përçuarjen e mesazhit hyjnor. Profeti Muhamed u tregua edhe strateg ushtarak, por jo për të sulmuar i pari, por gjithnjë për tu mbrojtur dhe sulmonte vetëm atëherë kur muslimanët ishin të rrezikuar. Në të gjitha betejat që i zhvilloi me Kurejshët, Persët, Romakët apo me shtetet e tjera ai fillimisht dërgonte delegacionet e tij për të negociuar dhe për tu treguar se dëshironte ta përçojë mesazhin hyjnor Islam. Profeti Muhamed u shkruante edhe mbretërve të botës ku i ftonte të pranojnë Islamin. Letra të këtilla i dërgoi Herakliut, mbretit të romakëve, Mukaukisit, mbretit të Egjiptit, Kisras mbretit të Persisë, në të cilat shkruante: “Nga Muhamedi, i dërguari i All-llahut. Unë të ftoj të pranosh Islamin dhe të shpëtosh”. Popujt e këtyre shteteve jetonin në vuajtje e padrejtësi të mëdha, ndërsa paria e këtyre shteteve jetonte në begati dhe luks të paparë. Vetëm atëherë kur këto shtete nuk binin dakord me propozimin e Profetit Muhamed atëherë Profeti shprehte gatishmërinë për të luftuar. Gjatë luftimeve që zhvilloi Profeti Muhamed i udhëzonte komandantët dhe ushtrinë që të mos vrasin gra, pleq e fëmijë dhe njerëzit që gjendeshin duke u lutur në tempujt e tyre. Ai gjithashtu urdhëronte që të mos prishen të mbjellat bujqësore dhe të mos shkatërrohen shtëpitë. Pjesën më të madhe të robërve të luftës e lironte dhe plaçkën e luftës e ndante në mënyrë të barabartë.
Lufta për të vërtetën dhe përçuarjen e fesë Islame, fesë humane dhe të drejtë, bënë që për 25 vite Islami ti shkatërrojë imperatoritë më të mëdha të kohës dhe sundoi në pjesën më të madhe të botës. Profeti Muhamed edhe Mekën e Qaben i mori në rrugë paqësore duke negociuar dhe bindur Kurejshët e fiset e tjera se qëllimi i tij i vetëm ishte përhapja e mesazhit hyjnor Islam. Profeti Muhamed edhe para betejave diskutonte me ushtarët për të gjetur rrugën më të mirë drejt fitores. Me Marrëveshjen e Hudejbies pa derdhur gjak u arrit paqja dhe vizita për në Qabe. Profeti Muhamed i udhëhequr gjithnjë nga paqja vendosi që me Kurejshët të arrijë marrëveshje paqësore për Mekën dhe Qaben dhe ti shmanget gjakderdhjes. Kurejshët e kuptuan forcën ushtarake të Profetit Muhamed dhe se edhe mund tua ndalonte rrugën e karvanëve ranë dakord për këtë marrëveshje që muslimanëve të Medinës tu mundësohet ta vizitojnë Qaben në kohën e Haxhit. Kjo marrëveshje ishte fitorja më e madhe në historinë e Islamit. Pas kësaj marrëveshje një numër i madh fisesh e pranuan fenë Islame. Megjithatë Kurejshët disa herë e shkelën këtë marrëveshje gjë që e detyroi Profetin Muhamed që të përgatitet për luftë kundër Kurejshëve. Fuqia ushtarake e Profetit i tmerroi Kurejshët kështu që ata më në fund u dorëzuan paqësisht dhe duke e pranuar fenë Islame dhe Profetin Muhamed si të dërguarin e tij. Pas kësaj Muslimanët i thyen të gjithë idhujt rreth Qabes, dhe i amnestuan të gjithë kundërshtarët e dorëzuar, duke ua hapur rrugën që ta pranojnë fenë Islame dhe Profetin Muhamed si të dërguarin e Zotit. Profeti Muhamed asnjëherë nuk gënjeu, nuk tradhtoi dhe nuk i prishi marrëveshjet e arritura me armiqtë. Profeti u torturua, u keqtrajtua, u nxor jashtë vendlindjes, u vranë të afërmit e tij, por megjithatë ai u udhëhoq nga fryma e shpirtit të bashkimit e jo nga urrejtja e përçarja. Kjo i shtyri edhe armiqtë më të mëdhenj ndaj tij që ta pranojnë Islamin. Profeti Muhamed caktoi edhe dhënien e zekatit si formë të ndihmës dhe të barazimit ekonomik të popullatës.
PËRFITIMI PËR GJITHË NJERËZIMIN
Historia e Profetit Muhamed nuk është që të përfitojnë vetëm muslimanët, por i tërë njerëzimi. Nuk ka patur në botë gjer më sot njeri tjetër që të ketë vuajtur, ofenduar dhe të jetë torturuar më shumë se Profeti Muhamed. Profeti Muhamed në moshën 63 vjeçe në vitin 10 të migrimit kreu Haxhin e lamtumirës. Gjatë këtij Haxhi ai të pranishëmve në mënyrë të fuqishme ua transmetoi mesazhet e paqes, dashamirësisë, mëshirës, bashkimit dhe kryerjes së obligimeve kuranore si rrugë e vetme për ta fituar kënaqësinë e Allahut të madhërishëm dhe Xhenetin. Pas kryerjes së Haxhit Profeti Muhamed u kthye në Medine me ç’rast sëmuret dhe duke e lënë zëvendës së tij Ebu Bekrin si imam në xhaminë e Medines, pas disa ditësh ndërroi jetë duke iu lutur Allahut që të takohen në Xhenet dhe duke ndjerë kënaqësinë se në tërësi e realizoi amanetin e Allahut. Profeti ndërroi jetë në çastet e lindjes së diellit ashtu siç edhe u lind. Kjo tregon se drita hyjnore nuk do të largohet me vdekjen e Profetit, këtë dritë do ta mbajnë të ndezur muslimanët e brezave që vijnë duke e përhapur në tërë botën.
Profeti Muhamed është njeriu i vetëm në historinë e njerëzimit i cili jetoi i pasur dhe i varfër, i dobët dhe i fuqishëm, udhëheqës dhe njeri i rëndomtë, paqësor dhe luftëtar, i vetmi që dinte të krijojë lidhje me të gjitha shtresat e shoqërisë, me çifutët dhe arabët, me vendasit dhe të huaj, me popullin e thjeshtë dhe me fuqitë më të mëdha të kohës. Ai posedonte të gjitha format e madhështisë, ishte madhështor në paqe dhe madhështor në luftë, madhështor si bashkëshort, si prind, si njeri i thjeshtë në moral dhe në çdo aspekt tjetër.
Historia e Profetit Muhamed është histori e përpjekjeve, e durimit dhe e triumfit të së drejtës dhe të mirës, ndaj të keqes dhe interesave vetjake. Të gjithë muslimanët falen, agjërojnë, shumë prej grave mbajnë shami etj., por në shoqërinë e Profetit Muhamed në Xhenet do të jenë vetëm ata që e kanë mbajtur lartë mesazhin e Profetit.
Këto janë të dhënat e argumentuara nga ky libër për Profetin Muhamed, Kur’anin dhe fenë Islame.