Shema Sahiti është emër i njohur në botën e dizajnit të modës, një kreatore që ia ka dalë të krijoi identitet artistik dhe stilin e saj ta bëjë të njohur gjerësisht. Ajo është eksperte kur vjen fjala për të kombinuar klasiken me modernen dhe për t’i bërë femrat të ndihen mbretëresha kur veshin krijimet e saj
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Shema Sahiti emri yt është i njohur në botën e modës, por iu pak keni folur për vetën?
Jam Shema Sahiti, jetoj dhe veproj në Prishtinë, jam dizajnere e modës dhe ndonëse prej vitesh merrem me këtë profesion, nuk është se kam qenë shumë imponuese në tregun medial. Gjithsesi, puna ime ka arritur të njihet mirë dhe kjo ka rëndësi.
KOHA: Si nisi rruga juaj në botën e modës?
Rrugëtimi im në botën e modës është shumë i gjatë, duke filluar që nga mosha 10 vjeçare, që atëherë kur kam filluar të krijoi gjëra për veten. Gjithmonë kam qenë e interesuar për të rejat e modës. Gjatë të 90-tave, e vetmja dritare informimi ka qenë pikërisht media dhe kështu frymëzohesha.
KOHA: Të qenit dizajnere e modës do të thotë…?
Do të thotë se nuk është diçka e lehtë. Do të thotë të frymësh me këtë profesion, madje edhe kur je në gjumë, edhe kur shëtit, edhe kur je vetë, edhe kur je me të tjerët. Në çdo vend që jam, e bartë me vete.
KOHA: Një dizajner i modës duhet të ketë identitetin, vulën e vetë, atë me çka karakterizohet. Juve çka iu karakterizon?
Ka disa komponente që më karakterizojnë, e mbi të gjitha klasikja e modernizuar dhe eleganca. Kur krijoi, e kam shumë parasysh edhe target moshën për të cilën punoj.
KOHA: A e ke një muzë?
Sa i përket figurave me famë botërore, muza ime është Victoria Beckham dhe princesha Diana, ndërsa nga artistet vendore, kisha muzë Nexhmije Pagarushen, artisten tonë të madhe, që për mua mbetet e pa krahasueshme.
KOHA: Sa koleksione ke krijuar deri më tani?
Në 2013 kam krijuar koleksionin e parë për diplomim, pastaj çdo vit që nga 2013 kam krijuar nga dy koleksione pranverë-verë dhe vjeshtë-dimër. Deri më tani kam gjithsej nëntë koleksione.
KOHA: Kah anon stili yt në fushën e dizajnit të modës?
Stili i krijimeve të mija është Hote – Cuoture, ndonëse nuk e lë anash edhe stilin e ditës. Por, ajo që më plotëson mua është Houte – Couture dhe glamuri.
KOHA: Po stili personal?
Stili im personal më bënë të dallohem nga bashkëmoshataret e mija. Jam mjaftë e guximshme të eksperimentoj me gjërat që më pëlqejnë dhe i veshë me shumë vetëbesim.
KOHA: Sa kanë influencë trendet momentale ne atë që krijoni?
Gjithsesi që trended kanë influencë në krijimet e mija. Nëse nuk I ndjekim trendet, nuk mund të jemi në hap me modën.
KOHA: Ngjyrat dhe detajet e preferuara të kësaj periudhe?
Për momentin jam duke e përfunduar koleksionin vjeshtë –dimër, në të cilin dominon ngjyra e zezë dhe nuancat e errëta.
KOHA: Planet, projektet, sfilatat…?
Koleksionin që e kam përfunduar ende nuk do nëse do ta prezantoj përmes një serie fotosh, apo në ndonjë event mode. Do të vazhdoj të punoj me klientelen time, të realizoj kreacione të pëlqyeshme dhe të ecë tutje. I falënderoj të gjithë ata që I besojnë punës dhe idesë sime.
KOHA: Jeta private?
Jam e martuar prej 25 vitesh, jam nënë e dy fëmijëve tashmë të rritur. Djali im Enisi tashmë është edhe bashkëpunëtori im, ndërsa Vesa është ende studente. Jam profesioniste, por edhe amvise duke iu përshtatur kërkesave të familjes.
KOHA: Gjerat që do më shumë jashtë profesionit?
E dua kuzhinën, jam pasionante e madhe dhe asnjëherë nuk përtoj të gatuaj. Gjithashtu jam adhuruese e natyrës dhe më pëlqen të kujdesem për kopshtin dhe lulet, megjithëse prej katër vitesh kam hequr dorë për shkak të kohës së kufizuar. Gjithashtu më pëlqen shumë të lexoj, sidomos gjatë kohës së dimrit.