Shkup, 25 shkurt – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë janë të përqendruara fuqishëm drejtë përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në sferën e mbrojtjes. Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO rajoni bëhet shumë më i sigurt dhe më stabil, ndërsa të ardhmen së bashku e shohim me më shumë optimizëm. Megjithatë, ka edhe shumë punë për tu bërë që t’i evropianizojmë vendet tona dhe t’i realizojmë qëllimet tona strategjike për anëtarësim në BE.
Ky është konstatimi i përbashkët nga konferenca e sotme për shtyp e dy ministreve të Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, Radmilla Shekerinska dhe Olta Xhaçka, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas Shekerinskës, Shqipëria gjithmonë ishte fqinje dhe mike e mirë, por duke filluar nga ky vit presim që të jetë aleate e jona dhe partnere si pjesë e NATO-s.
“Këtë vit dhe vitin e kaluar jo vetëm fjalët, por edhe veprat treguan se dy vendet tona janë mike të vërteta, dinë që në momentet më të rëndësishme të japin mbështetje të plotë”, deklaroi Shekerinska duke theksuar se më 14 shkurt Shqipëria si vendi i tretë, pas Greqisë dhe Sllovenisë e ratifikoi Protokollin për anëtarësim në NATO. Fakti që fqinjet tona të para – Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Sllovenia të parat e ratifikuan Protokollin për anëtarësim në NATO, potencoi ajo, tregon se NATO vlerat janë edhe vlera tona, dëshirojmë të bashkëpunojmë, të respektohemi dhe të japim mbështetje.
“Anëtarësimin në NATO e merituam dhe punuam për të, por është fakt se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ndalet këtu. NATO-n e shohim si mundësi për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve, për ekonomi më të mirë si dhe si mundësi për institucione më të mira”, deklaroi ministrja Shekerinska.
Theksoi se në hulumtimet e fundit të parimeve të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në furnizimet publike, MB është vlerësuar si institucion i cili shënoi progres më të shpejtë vitin e fundit gjegjësisht arriti të plasohet në tre vendet e para për nga transparenca, llogaridhënia dhe integriteti në pjesën e furnizimeve publike. Në këtë mënyrë tregojmë, theksoi Shekerinska, se nuk presim që anëtarësimi në NATO t’i ngrit standardet, por vetëm që të na ndihmojë në politikën tonë kyçe se si shtetin do ta bëjmë më të mirë.
Ajo informon se pjesëtarët e ARM-së do të jenë pjesë e ushtrimit shumëkombëtar që këtë vit do të mbahet në Shqipëri, ndërsa do të marrin pjesë edhe në iniciativën Bashkëpunimi në Adriatik – SHBA, me të cilën do të kryesojë Shqipëria. Në kuadër të kësaj iniciative, informon Shekerinska, do të bashkëpunojmë përmes pjesëmarrjes së përbashkët në misionin “Mbështetja vendimtare në Afganistan”.
“Stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipëria e sheh si kusht kryesor për siguri të të gjithë rajonit”, deklaroi mes tjerash ministrja e Mbrojtjes Xhaçka.
Shfaqi kënaqësi për, siç tha, vizionin perëndimor që kulminoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës dhe e theksoi kënaqësinë për guximin, gjatë situatave delikate për marrëveshjen me Greqinë, por, nënvizoi edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si vendime të rëndësishme të cilat kërkojnë guxim dhe lidership të mirë.
“Janë krijuar kushte dhe klimë e mirë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një nga kushtet kryesore për integrimin e vendit tuaj në strukturat euroatlantike, për çka do ta ketë përkrahjen tonë”, tha Xhaçka.
Ministrja shqiptare e Mbrojtjes vlerësoi se në të dyja vendet ka forca të cilat për interesat e tyre të ngushta janë të gatshëm që ta rrezikojnë stabilitetin dhe integrimin evropian.
Përndryshe, pas ceremonisë së pritjes para Ministrisë së Mbrojtjes, Shekerinska dhe Xhaçka kishin takim sy më sy, pas çka u takuan edhe me kryeministrin Zoran Zaev.
Ministrja e Mbrojtjes të Shqipërisë, Xhaçka do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.