Shkup, 11 janar – Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot përmes video konferencës realizoi takim me atashetë e mbrojtjes të vendit tonë në SHBA, Francë, Turqi dhe Gjermani, si dhe me përfaqësues të mbrojtjes-diplomacisë në selinë dhe komandat e Aleancës.
Ajo kërkoi nga përfaqësuesit e mbrojtjes dhe diplomacisë angazhim të koordinuar dhe preciz në avancimin e bashkëpunimit dypalësh me vendet në të cilat ata janë të vendosur, dhe fokusi i bashkëpunimit të jetë në interes të të dy palëve – për të kërkuar mbështetje atje ku kemi nevojë, por edhe për të ofruar atë të cilat i kemi si shkathtësi ose kapacitet.
Shekerinska, siç kumtoi nga Ministria e Mbrojtjes, falënderoi përfaqësuesit tanë jashtë vendit për të gjitha përpjekjet e deritanishme në përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por edhe para aleatëve tanë në Uashington, Paris, Ankara dhe Berlin.
Maqedonia e Veriut, tha ministrja Shekerinska, pas tridhjetë vjetësh, është anëtare e plotë e Aleancës dhe merr pjesë në mënyrë të barabartë në tryezën kryesore me 29 aleatët e tjerë dhe diplomatët e mbrojtjes luajtën një rol të rëndësishëm në këtë sukses për vendin. Tani, tha ajo, është koha të tregojmë se pas anëtarësimit të plotë, motivimi jo vetëm që nuk zvogëlohet, por që ne jemi një anëtar serioz dhe i përgjegjshëm që do të përmbushim siç duhet detyrimet e anëtarësimit në NATO.
“Ne duhet të jemi të qartë se e vlerësojmë mbështetjen e aleatëve për anëtarësimin tonë të plotë, por gjithashtu të tregojmë se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO fituan një anëtar të përgjegjshëm që di se çfarë dëshiron, i cili do të përmbushë detyrimet që vijnë nga anëtarësimi i plotë. Rezultatet që do të arrijmë në NATO ndërtojnë pozicionet tona edhe në BE. Ky do të jetë një vit i reformave intensive në vend, të përkushtuar për të dy qëllimet strategjike në mënyrë të barabartë”, tha ministrja.