Shkup, 12 nëntor – Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot ka shfaqur shpresë se pranimi i vendit në NATO nuk do të ndikojë në zgjedhjet e paralajmëruara të parakohshme parlamentare.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, nëse zgjedhjet mund të shtyhen, Shekerinska ka thënë se vendimi është sjellë, ka konsensus dhe punohet në atë që zgjedhjet të jenë më 12 prill.
E pranoj qëndrimin e shumicës thënë në takimin e liderëve se 30 vite punojmë në dy prioritete strategjike, anëtarësimi në NATO dhe BE.
“Këto prioritete janë mbi gjithçka. Absolutisht konsideroj se duhet të bëjmë gjithçka që është në forcën tonë me kohë të përfundojnë procedurat para zgjedhjeve parlamentare dhe pres dhe shpresoj se ajo do të ndodhë”, ka porositur sot ministrja Shekerinska e cila ka qenë për vizitë në Akademinë ushtarake “Gjeneral Mihaillo Apostollski” në kazermën “Goce Dellçev”.
Anëtarësimi në NATO, ka vlerësuar ai është sukses numër një dhe asgjë nuk guxon atë sukses ta rrezikojë. Prandaj, shtoi Shekerinska, “Qeveria vepron në mënyrat që na afrojnë drejt NATO-s”.
“Këtij Parlamenti patjetër t’ia japim shansin të rrumbullakohet procesi i suksesit. Nuk ka qenë lehtë të jesh deputet në dy vite e gjysmë. Janë miratuar vendime të vështira, janë sjell vendime të përgjegjshme dhe tani ato vendime do të kurorëzohen me realizimin e këtij suksesi të madh shtetëror. Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e aleancës më të fuqishme politike- ushtarake”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. (koha.mk)