Shkup, 25 qershor – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot duke e komentuar paralajmërimin e kryeministrit që krahas funksionit kryeministror një periudhë të caktuar do ta kryejë edhe funksionin e ministrit të Financave deklaroi se shpesh ndodh që kryeministra të kryejnë funksione ministrore kur dëshirojnë të vendosin theks në çështje të caktuara, njofton Koha.mk
Sipas Shekerinskës, nuk është as hera e parë e as e fundit që një kryeministër të kryejë edhe funksion ministror dhe shembuj të tillë ka pasur në Greqi, ndërsa për momentin shembull të tillë ka në Zelandën e Re.
“Kjo është porosia të cilën e dërgoi kryeministri, gjegjësisht se në situatë kur i treguam rezultatet në planin e integrimeve – po bëhemi anëtare e NATO-s dhe do t’i fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian, fokusi kryesor të vendoset në ekonomi. Porosinë të cilën e morëm nga qytetarët është se tani na duhen më shumë rezultate në pjesën e rritjes ekonomike dhe kjo porosi nga kryeministri është porosi deri te qytetarët se fokusi kryesor i kryeministrit do të jetë pikërisht ekonomia”, deklaroi Shekerinska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Në lidhje me propozimin që ministri aktual për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor Sadulla Duraku që në të ardhmen të udhëheqë me Ministrinë e re e cila duhet ta zëvendësojë Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, zëvendëskryeministrja Shekerinska theksoi se pas kritikave nga opinioni se ai nuk është ministër i mirë për Ekologji, si Qeveri kanë vlerësuar se duhet që në këtë dikaster të sjellin energji të re, njeri të ri dhe politikë më të fuqishme.
Ajo i hodhi poshtë spekulimet se emërimi i Durakut është bërë nën presionin e BDI-së.
“Në lidhje me bisedimet e koalicionit, thamë që nga fillimi se nuk flasim me shantazhe dhe nuk lejojmë që dikush me shantazhe të veprojë drejtë nesh”, deklaroi Shekerinska pas diskutimit të sotëm përfundimtar për Strategjinë kombëtare për zhvillim të konceptit një shoqëri dhe intelektualizmit. (koha.mk)