Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska sot pas dhënies së deklaratës në Prokurorinë Publike deklaroi se në incidentin në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill dy herë është sulmuar, një herë me trekëmbëshin e kamerës, ndërsa herën e dytë nga personi që e ka kapur për flokësh.
“Në qoftë se Prokuroria Publike vazhdon t’i minimizojë këto sulme serioze do të bëhet bashkëpjesëmarrëse në dhunën politike e cila promovohet në Maqedoni. Një pjesë e këtyre dhunuesve ishin të paguar, një pjesë e këtyre dhunuesve saktë e dinin se ku shkojnë dhe cili është qëllimi i tyre. Të sulmojnë, të lëndojnë dhe dikë të vrasin. Nëse për këtë nuk dënohen, në Maqedoni edhe Prokuroria Publike do të lejojë që dhuna të mbizotërojë me jetët tona”, deklaroi Shekerinska.
Ajo shtoi se i ka thënë të gjitha informatat të cilat i dedikohen sulmit të dyfishtë që e ka pësuar. “Njërin me trekëmbëshin e kamerës televizive. Njëri nga dhunuesit me goditi direkt në kokë dhe nuk e dija se në çfarë mënyrë ky lëndim do të reflektojë, se nëse do të mund të qëndroj në këmbë, se nëse mund të ecë, se nëse do të mundem ta braktis hapësirën, madje pastaj dhunuesi i dytë më tërhoqi për flokësh me dëshirë të më shtrijë përtokë”, tha Shekerinska.
Sipas saj, e papranueshme është kur një grup dhunuesish sulmojnë për jetën, shëndetin, ekzistencën, jo vetëm si deputetë, para së gjithash si qytetarë të këtij shteti. “Kur na sulmojnë me sende të rënda, kur na sulmojnë me qëllim që të na vrasin, nuk mundet që vepra e vetme për të cilën do të procesuohen, të jetë ‘pjesëmarrje në turmë'”, theksoi Shekerinska.