Shekerinska pret që furnizimi i uniformave për armatën të përfundojë deri në fund të vitit

Veles, 7 gusht – Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, Ministria e Mbrojtjes ka arritur tërësisht ta përfundojë procesin për furnizimin e çizmeve ushtarake, ndërsa marrëveshja për furnizimin e uniformave ushtarake në terren është ndërprerë pasi që kompania e zgjedhur nuk ka arritur t’i plotësojë kushtet e kërkuara dhe procedura është përsëritur.

Këtë sot e kumtoi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska gjatë vizitës së kazermës në Veles me rastin e pritjes së 125 ushtarëve të rinj profesionalë në Armatë, duke u përgjigjur në pyetje e mediave, “deri ku është procedura për furnizimin e uniformave të reja ushtarake dhe solemne”.

“Unë jo rastësisht kam thënë se me cilësinë nuk do të bëjmë kompromise dhe atë që e kërkojmë në procedurë, kompanitë duhet ta dorëzojnë. Për këtë marrëveshja është ndërprerë dhe e përsërisim procedurën. Shpresoj, pres dhe apeloj që kompanitë të mos mendojnë se mund të marrin pjesë me një dhe më pas të na imponojnë cilësi më të dobët. Tenderi është shpallur dhe presim konkurrencë dhe interes më të madh. Kemi dhënë shans edhe për çmimet të cilat përgjigjen në cilësinë që e kërkojmë dhe shpresoj se deri në fund të vitit, ky proces do të përfundojë”, deklaroi ministrja Shekerinska.

Ajo njëherit informoi se muajin e kaluar Ministria në mënyrë shtesë ka filluar me furnizimin e uniformave solemne dhe pret dy proceset të jenë të suksesshme.

Lidhur me pyetjen e gazetarëve për çështjen e çështjes banesore të pjesëtarëve të Armatës dhe për çka pushteti paraprak paralajmëroi ndërtim të banesave për pjesëtarët e ARM-së, Shekerinska sqaroi se për këtë ka folur edhe në pyetjet e deputetëve para dy muajve dhe ka thënë se gjashtë vjet është paralajmëruar projekti dhe nuk është zgjidhur dhe ka dështuar sepse nga fillimi nuk ka funksionuar.

Ajo informoi se Armata numëron rreth shtatë mijë pjesëtarë, duke theksuar se, sipas saj, është jo korrekte të gënjehen ushtarët se me ndërtimin e banesave do të mund të zgjidhen të gjitha problemet.

“Shqyrtojmë opsione si pagesa e qirasë, që e marrin një pjesë e pjesëtarëve të Armatës të jetë më e drejtë dhe ta lirojmë nga keqpërdorimet. Njëherit gjithkund ku Armata ka pronë që nuk e përdor, ndoshta do të ofrohet në mënyrë komerciale, ndërsa për kthim të merren banesa për Armatën. Por. këtë do ta bëjmë shumë me kujdes, sepse të gjithë janë djegur nga përvojat e këqija në të kaluarën”, potencoi ministrja Shekerinska.