Drejtësi duhet pasur dhe institucionet të cilat luftuan me krimin dhe me korrupsionin duhet të fitojnë mandat që të vazhdojnë ta bëjnë atë, deklaroi sot zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Ditëve të para Prokuroria Publike Speciale mbase ishte vetëm simbol tani duhet të vazhdojë të jetë edhe simbol edhe pjesë e rëndësishme e shtetit ligjor që do të dëshmojë se është funksionale. Prandaj jemi duke i udhëhequr negociatat, jo me qëllim që të realizojmë interesim partiak, por me qëllim që t’u japim përgjigje pritjeve të të gjithë opinionit tonë – se drejtësi duhet të ketë dhe institucionet të cilat kanë luftuar me krimin dhe me korrupsionin duhet të fitojnë mandat të vazhdojnë ta bëjnë atë”, deklaroi Shekerinska dhe shtoi se për fat të keq nuk arrihet lehtë kompromis i këtillë.
Sipas saj, opozita gjatë kësaj periudhe ka negociuar me qëllim që Prokuroria Publike Speciale de fakto të mos mund të punojë.
“Ne nuk do të pajtohemi për kompromise të tilla. Jemi të gatshëm për kompromise që do të thonë ligj më i mirë, prokurori më e fuqishme dhe më shumë kontroll edhe ndaj pushtetit ekzekutiv. Por, nuk jemi të gatshëm për kompromise që do të thonë vënie nën qilim të keqpërdorimeve të vjetra apo çfarëdo dobësimi të institucionit i cili duhet ta hetojë edhe punën e kaluar edhe atë aktuale të Qeverisë”, tha Shekerinska.
Ajo shtoi se pret se do të gjendet zgjidhje duke shtuar se obligimet janë të mëdha edhe para pushtetit edhe para opozitës.
Theksoi se askush nuk ka argumente PPS-në ta shndërrojë në prokurori formale e cila nuk do të ketë fuqi e as mandat ta bëjë punën e saj, pasi, siç tha, një prokurori e tillë nuk na duhet.(koha.mk)