Krivollak, 8 korrik – Siguruam kontroll të vazhdueshëm të mjedisit jetësor para dhe gjatë ushtrimit “Goditja vendimtare” në Krivollak, ndërsa hulumtimet treguan se nuk janë shkaktuar kurrfarë pasojash të dëmshme, tha sot ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, informon gazeta KOHA.
“Bashkë me Universitetin “Goce Dellçev” dhe Institutin për Shëndet Publik, para fillimit dhe gjatë rrjedhës së ushtrimit siguruam kontroll të vazhdueshëm të mjedisit jetësor. Rezymeja e dy hulumtimeve tregon se nuk kemi shkaktuar kurrfarë pasojash të dëmshme për shëndetin e njerëzve dhe për natyrën dhe kjo do të na bëhet standard. Edhe në kuadër të Krivollakut do të sigurojmë kur do të kemi ushtrime matje të vazhdueshme, me çka do të dimë bukvalisht se si është efekti të cilin e kanë ushtrimet ndaj mjedisit jetësor”, theksoi ministrja.
Ajo sot ishte në Krivollak së bashku me ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviq.
“Treguam se bashkëpunimi rajonal mund të jetë i dobishëm. Pas gjithçkaje duket se ky do të jetë jo vetëm ushtrimi më i madh në shtetin tonë, por definitivisht edhe një nga më të suksesshmit. Edhe krahas sfidës së madhe logjistike, patëm sukses që të sigurojmë rezultate të mira edhe në organizimin edhe në realizimin e ushtrimit”, tha Shekerinska.
Në mënyrë shtesë si rezultat i këtij ushtrimi janë bërë dy përmirësime dhe avancime të punës së poligonit Krivollak.
“E para përbëhet nga rekonstruimi i infrastrukturës hekurudhore në Krivollak, e cila është përgatitur para shumë viteve nga shteti i kaluar dhe nga armata e kaluar dhe e cila deri më sot aspak nuk është rinovuar. Për këtë ishte e pamundur që transportin ta kryejmë sipas rrugës hekurudhore. Në bashkëpunim me ndërmarrjet tona për komunikacion hekurudhor arritëm që ta rinovojmë pjesën e hekurudhës që vjen deri në Krivollak dhe në këtë mënyrë të sigurojmë që pjesa më e madhe e transportit në të ardhmen ta realizojmë përmes hekurudhës, e jo përmes infrastrukturës rrugore. Kjo është mirë për armatën sepse jemi më efikas, megjithatë kjo është mirë edhe për shtetin, sepse e çlirojmë shtetin nga nevoja që të përdoret infrastruktura rrugore për armatim të tillë. Edhe pjesa më e madhe e automjeteve pas përfundimit të ushtrimit do të ecin nëpër rrugër hekurudhore”, shtoi ministrja.
Kënaqësi nga prania në Krivollak dhe nga rrjedha e ushtrimit shprehu edhe ministri malazez, Boshkoviq.
“Dëshiroj që ta uroj Maqedoninë për negociatat e përfunduara me sukses për anëtarësim në NATO. Presim që deri në fund të këtij viti të përfundohet edhe pjesa e ratifikimit të protokollit për pranim të Maqedonisë si anëtare e 30-të e NATO-s. Marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë me të vërtetë të shkëlqyera. Këtë e dëshmuam edhe me seancë të përbashkët të qeverive në maj të këtij viti. Në mbrojtje gjithashtu bashkëpunojmë dhe mund të shërbejmë si shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Boshkoviq.
Edhe ai konfirmoi se ka pranuar dy studime të cilat tregojnë se nuk ka ndotje të mjedisit jetësor në Krivollak.
Dejan Mirakovski, profesor dhe udhëheqës i laboratorit në Universitetin “Goce Dellçev”, informoi se në kuadër të bashkëpunimit me MB-në dhe MMJPH-në, laboratorin e AMBIKOM vendosi të ashtuquajturin monitorim të perimetrit në tre lokacione në zonën e Krivollakut.
I pyetur se prej nga vinte tymi për të cilin kishte reagime në opinion, tha se instrumentet ishin tërhequr më 30 qershor, ndërsa tymi ka qenë më 1 korrik. Sipas tij ka mundësi të jenë djegur deponi.
Në pyetjen e gazetarëve deri te ministrja Shekerinska rreth poligonit, ajo tha se potencialin e vlerësuan ekspertë të NATO-s të cilët i njohin të gjithë poligonet e këtij lloji përgjatë kontinentit evropian.
Ministrat Shekerinska dhe Boshkoviq sot në Krivollak morën pjesë në aktivitetin ushtrues – qitjes artilerie nga ana e pjesëtarëve të forcave të armatosura të Malit të Zi të cilët janë pjesë e ushtrimit “Goditja vendimtare”.
Ushtrimi “Goditja vendimtare” filloi më 5 qershor, ndërsa do të zgjasë deri më 9 korrik. Përfshin mbi 2.700 pjesëtarë të forcave të armatosura të gjashtë shteteve – Maqedonia e Veriut, SHBA-ja, Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi dhe Lituania. Ky ushtrim është mundësi për zhvillimin e ndërveprimit të Armatës sonë me forcat e armatosura të vendeve pjesëmarrëse, të cilat janë edhe vende anëtare të Aleancës. Njëherit, shteti ynë si nikoqir i ushtrimit, tregon se posedon përvojë dhe kapacitet për organizimin e ushtrimeve të mëdha dhe komplekse, edhe atë në poligon i cili i posedon të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e këtij lloji ushtrimi në terren. (koha.mk)