Shkup, 27 janar – Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, gjatë pjesëmarrjes në ditarin e televizionit Sitel i vlerësoi si joserioze akuzat nga opozita për kandidatin për përfaqësues ushtarak në NATO.
Ajo nënvizoi se nuk bëhet fjalë për refuzim të kandidatit për përfaqësues ushtarak dhe se në asnjë moment deri më tani nuk është marrë sinjal se dikush e ka shkelur ligjin apo ka bërë diçka në kundërshtim me ingerencat.
“Për momentin nuk kemi problem me refuzim. Përfaqësuesi ushtarak për të cilin flitet, nuk është refuzuar, vetëm nuk i është dhënë certifikata. Ato janë dy gjëra të ndryshme. Askush nuk thotë – njerëzit kanë kryer krim, por thonë – për momentin ende mendojmë se kemi rezerva të caktuara të cilat mund të mos jenë objektive”, sqaroi Shekerinska.
Akuzat e opozitës, siç tha, janë akuza joserioze për një punë shumë serioze.
Këtë vit, obligim i shtetit është të plotësohen edhe vendet komanduese në NATO, ku do të dërgohen njerëz me certifikata më të larta të NATO-s.
Lidhur me mundësinë që ushtarët profesionistë – 45 vjeçarë, të vendosin nëse do të vazhdojnë me punë në ndonjë nga institucionet shtetërore apo ndërkaq do të shfrytëzojnë mjete financiare prej 1.000 eurove për çdo vit të kaluar gjatë shërbimit në Armatë, ministrja sonte deklaroi se do të ketë mjete për realizim të këtij opsioni.
“Këtë vit kemi diku rreth 107 ushtarë të cilët do të bëhen 45 vjeç. prej tyre, këto muaj derisa nuk hyn në fuqi ligji, do të vlejë vendimi i vjetër, megjithatë presim që definitivisht rreth 70 do ta kalojnë zgjedhjen. Tashmë e dimë se rreth 10 do të mbeten në Armatë si persona civilë. Një pjesë tani largohen në njësitë zjarrfikëse në Shkup, Kërçovë dhe Vallandovë, një pjesë do të transferohen në policinë gjyqësore, por një pjesë supozojmë se do ta zgjedhin këtë opsion dhe kjo do të kushtonte diku rreth 1 milion e 200 mijë euro në nivel vjetor”, tha Shekerinska.