Shkup, 27 qershor – Takimi ministror i Këshillit Veriatlantik të Aleancës në të cilin merr pjesë ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, vazhdoi sot me dy sesione, të dedikuara në financimin e mbrojtjes dhe të misionit të Aleancës në Afganistan, “Mbështetja vendimtare”.
Ministrja Shekerinska informoi se buxheti për mbrojtje në dy vitet e fundit po rritet, ndërsa shteti është në rrugë të shkëlqyer që dy për qind të projektuara të bruto prodhimit vendor, të alocuara për mbrojtje, të arrihen deri në vitin 2024, transmeton KOHA.
Në takimin e dedikuar për misionin “Mbështetje vendimtare” në Afganistan, ministrja Shekerinska i përshëndeti dhe mbështeti përpjekjet e NATO-s për vendosjen e stabilitetit, sigurisë, paqes, lirisë dhe demokracisë në këtë vend.
Ajo theksoi se vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë me pjesëtarë në këtë mision në të cilën tani kemi 47 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë. Ky është fakt i cili tregon se Maqedonia e Veriut nuk heq dorë nga pozicionet e tij dhe gjithmonë sjell vendime të cilat janë për të mirën e rajonit, të Aleancës dhe në nivel global.
Sot, Shekerinska kishte edhe dy takime të ndara me ministrat e Mbrojtjes të Italisë, Elizabeta Trenta dhe të Polonisë, Marius Blasçzak.
Në takimin me ministren Trenta, Shekerinska i përsëriti pozicionet e Maqedonisë së Veriut se Italia ishte dhe mbetet partner jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe së shpejti aleat i vendit tonë dhe se ne e vlerësojmë të gjithë mbështetjen e deritanishme italiane, veçanërisht në periudhën e kaluar për shtetin tonë. Ministrja Trenta tha se mbështetja vazhdon dhe se në Itali vijon procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në takimin Shekerinska-Blasçzak, ishte konfirmuar bashkëpunimi jashtëzakonisht i mirë bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë, i cili ishte kurorëzuar me ratifikimin e protokollit për anëtarësim të vendit tonë në Aleancë, në prill të këtij viti. Ministri Blasçzak porositi se bashkëpunimi në mbrojtje është i shkëlqyer dhe se ai në të ardhmen do të thellohet edhe më shumë.
Pas përfundimit të takimit të Këshillit Veriatlantik, ministrja Shekerinska do të marr pjesë në Samitin e Brukselit të Fondit gjerman Marshall, ku do të flasë në temën inovacionet dhe qasja e tyre drejtë sigurisë.(koha.mk)