Shkup, 24 mars – Nuk duhet të pritet takim ministror për t’u konfirmuar anëtarësimi ynë në NATO, por anëtarësimi ynë bëhet edhe de jure edhe de fakto në atë moment kur ne do ta dërgojmë protokollin tonë të ratifikuar në Uashington, pasi që atë do ta bëjnë vendet e tjera anëtare. Praktikisht momenti kur ai do të pranohet dhe aktivizohet në Departamentin amerikan të Shtetit kur RMV do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.
Këtë e theksoi zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
“Qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin në NATO e përfundojmë në, fatkeqësisht, rrethana më të këqija të mundshme. Në pajtim me planin i cili ishte para epidemisë ne duhej dje ta dorëzonim NATO protokollin tonë në Uashington për ta deponuar dhe planet të cilat i bëmë me NATO-n ishin se më 30 mars edhe zyrtarisht do të ngritet flamuri ynë në Bruksel. Kuptohet këto plane tërësisht ranë në ujë kur filloi epidemia me koronavoirusin në Evropë megjithatë presim çdo moment protokolli ynë të arrijë në Uashington dhe menjëherë më pas, për disa ditë, praktikisht ta shohim, nga larg, fatkeqësisht, flamurin tonë se si valëvitet së bashku me flamujt e tjerë të 29 vendeve anëtare”, tha Shekerinska.
Ajo theksoi se kjo nuk është kohë për festime, as për udhëtime dhe askush edhe nuk ka planifikuar të organizojë çfarëdo qoftë, ndërsa i tërë fokusi tani është shpëtimi i sa më shumë jetë njerëzish, ekonomisë së vendit e cila si edhe ajo botërore do të goditet seriozisht nga koronavirusi.
Shekerinska konfirmoi se kriza aktuale do të ndikojë edhe në financat e ardhshme të rezervuara për misionin në NATO dhe obligimet që dalin nga anëtarësimi i shpejtë, ndërsa prej momentit kur do të përfundojë kriza shëndetësore do të jetë shumë më e qartë me sa mjete në sektorë të ndryshëm do të përballemi.
“Si shtet do të bëjmë gjithçka çmimin të mos e paguajnë më të varfërit, më të dobëtit, sepse në krizë zakonisht kjo ndodhë. Prandaj punon ekipi ynë ekonomik, Këshilli rreth kryeministrit nga të gjithë pranojmë propozime të ndryshme. Qëllimi do të jetë shpenzimet në buxhet t’i kahëzojmë drejt mbështetjes së ekonomisë dhe në mbrojtjen e shëndetit. Gjithçka tjetër do të presë për kohë më të mira. Edhe në kuadër të mbrojtjes bëjmë plane të reja. E tërë ajo që nuk duhet të blihet, nuk do të blihet”, tha ministrja e Mbrojtjes.
Për atë se cilat mekanizma të NATO-s janë në dispozicionin tonë në kontekst të krizës, ndërkaq edhe në kontekst të krizës së emigrantëve, ajo tha se tani në pjesë më të madhe barra është vendosur tek Armata, ndërsa kontributi kryesor që e jepte dhe e jep NATO në periudhën në vijim është trajnimi intensiv i njerëzve tanë.
“Para disa muajve morëm donacion nga SHBA-ja – pajisje ABH, e cila është pjesë e mbështetjes së tyre për anëtarësimin tonë në NATO ndërkaq e shfrytëzuam mu gjatë epidemisë. Për momentin po pastrohet hapësira rreth Klinikës infektive dhe me Ministrinë e Shëndetësisë e shqyrtuam mundësinë të ashtuquajturin spital fushor ta ofrojmë si resurs shtesë në shëndetësi, ndërkaq i cili është marrë në kohën kur ishim vend partner i NATO-s. Armata jonë ka pranuar edhe mbi 150 milionë dollarë nga vende anëtare në NATO. Këto dy vite treguam se edhe vetë investuam në Armatë dhe për atë arsye e kemi më lehtë t’i mobilizojmë ato kapacitete”, theksoi ministrja e Mbrojtjes Shekerinska. (koha.mk)