Dibër, 29 qershor – Nënkryetarja e LSDM-së dhe bartëse e listës së kandidatëve të koalicionit “Mundemi” në Njësinë e pestë zgjedhore, Radmilla Shekerinska, gjatë qëndrimit në Dibër, duke iu përgjigjur pyetjes se cili do të ishte rreziku për një shtet multietnik dhe multikulturor nëse e udhëheqin partitë nacionaliste, theksoi se “për këtë nuk duhet të supozohet por mjafton të përkujtohemi”.
“Nga njëra anë i keni 11 vite jo vetëm shtet të izoluar por edhe shtet i cili ishte përplot me probleme, probleme vendore, të krijuar nga njerëz të cilët dëshironin të përfitonin nga zënkat. Nga ana tjetër e keni politikën të cilën e ofronim ne. Kjo është politikë e ndërtimit të aleatëve dhe krijimit të besimit në shtet. Kur para tre vitesh filluam të flasim për shoqërinë për të gjithë, shumica ishin pesimistë, na përqeshnin, na sulmonin. Sot dëshmuam se kur kemi një shoqëri për të gjithë, kjo shoqëri është m e fuqishme dhe kjo shoqëri është më e mirë”, tha Shekerinska.
Ajo shtoi se për dy vite gjysmë vendi arriti të bëhet anëtare e NATO-s, të aleancës më të fuqishme ushtarako-politike.
“Diçka për të cilën për 30 vite është folur ne e realizuam dhe dëshmuam se me të vërtetë nga bashkimi vjen fuqia, vjen cilësia. Sot sërish jemi një hap para të tjerëve. Për herë të parë dolëm para qytetarëve me koalicion i cili me të vërtetë është multietnik, i cili është shumë i gjerë dhe i cili dëshmon se nëse di të bisedosh, dëshiron të dakordohesh me njerëzit, për gjithçka ka zgjidhje. I rrëzuam stereotipat dhe pengesat të cilat kudo përfshirë edhe në Dibër njerëzit e dinë se nga zënkat nuk jetohet por nga zënkat arratiset. Nga marrëveshje me të vërtetë mund të ndërtohet vend më i mirë”, theksoi Shekerinska.