Shkup, 20 dhjetor – Ministria e Mbrojtjes dhe sindikata reprezentuese e mbrojtjes, sot nënshkruan ndryshim të marrëveshjes kolektive në nenin 97, me të cilin mundësohet që çmimi jubilar i paraparë me marrëveshjen kolektive, t’u paguhet të gjithë të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ARM-së të cilët kanë 15 e më shumë vite stazh.
Këtë sot e deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska pas takimit me kryetarin e Sindikatës së mbrojtjes dhe sigurisë, Risto Ajtov.
“Marrëveshja kolektive, e nënshkruar që në vitin 2013 parashihte që të punësuarit në MM dhe ARM për punë të pandërprerë në kohëzgjatje prej 15 viteve t’u ndahet çmim jubilar me vlerë të një rroge mesatare. Katër vite të plota kjo dispozitë nuk është zbatuar dhe asnjë çmim jubilar, asnjë pjesëtar i ARM-së dhe i punësuar në MM nuk e ka fituar këtë të drejtë”, tha Shekerinska.
Sipas saj, kjo ishte shkak që këtyre viteve të shkuara 700 të punësuar që i përmbushin kushtet për marrje të çmimit jubilar, ta padisin MM-në. Shtoi se nga gjithsej 700 padi, 250 tashmë kanë përfunduar dhe gjykatat kanë vendosur në dobi të paditësve, dhe pas atyre aktvendimeve MM tashmë një kohë të gjatë ka paguar jo vetëm çmime jubilare, por edhe shpenzime gjyqësore.
“Shpenzimet gjyqësore që si Ministri i kemi paguar për ata që na kanë paditur paraqisnin rreth 30.000 denarë për njeri. Vetëm në bazë të këtyre padive, MM ka paguar mbi 13 milionë denarë, ndërsa me atë rast mbi 7,5 milionë denarë janë dhënë vetëm për shpenzime gjyqësore”, tha Shekerinska.
Theksoi se ka sjellë vendim që t’i përmbushin të gjitha obligimet vjetore për pagesë të çmimit jubilar për të gjithë ata të cilët kanë stazh të pandërprerë prej 15 viteve.
“Por, këtu ndodhi edhe problemi i dytë, e ai është se për shkak të mosrespektimit katërvjeçar të marrëveshjes kolektive, doli se çmimin jubilar do ta marrin ata të cilët kanë 15 vite, por nuk do ta marrin ata të cilët patën 19 apo 20 dhe të cilët deri më tani është dashur të marrin çmim jubilar”, tha Shekerinska dhe shtoi se për atë shkak u janë qasur këtyre ndryshimeve të marrëveshjes kolektive.
Pagesa e këtij kompensimi, çdo vit do të bëhet në fund të vitit, do të ekzistojë mundësi që nëse nuk ka para të bartet edhe vitin tjetër, dhe praktikisht askush të mos mbetet pa të drejtën e vet në pajtim me marrëveshjen kolektive.
Ajtov theksoi se sindikata ka reaguar shpejtë ndaj këtij problemi dhe në afat prej vetëm dhjetë ditëve u janë qasur nënshkrimit të ndryshimit të marrëveshjes kolektive në nenin 97 për çmimin jubilar.