Shkup, 12 shtator – Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot kishte takim pune me zëvendës-ndihmës sekretar i përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe politikë të sigurisë, Xhejms Apaturaj, që realizohet në kuadër të procesit për bisedime për anëtarësim të Maqedonisë në Aleancë.
Në takim, ministrja Shekerinska tha se me përkushtim të plotë, guxim dhe vendosmëri, Qeveria vitin e kaluar punoi për tre çështje të rëndësishme – Marrëveshja me Bullgarinë, Marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend. Në lidhje me anëtarësimin në NATO, Shekerinska shtoi se ekipet në Ministri janë të përgatitura që t’i fillojnë bisedimet për anëtarësim dhe se ky proces po lëviz sipas dinamikës së planifikuar, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.
“Bisedimet për anëtarësim që janë një nga hapat e fundit para anëtarësimit gjithëpërfshirës në NATO do të na ndihmojnë të mbesim të përqendruar, të punojmë me shumë mund dhe t’i zgjedhim prioritetet e vërteta. Me përpunimin e Kontrollit strategjik mbrojtës, si dokument kyç, i filluam diskutimet për reformat në mbrojtje dhe jemi të gatshëm që t’i realizojmë”, tha ministrja.
Shekerinska potencon se fokusi në mbrojtje nga vetë fillimi është në përmirësimin e kushteve për punë të pjesëtarëve të Armatës, ndërsa kjo vërehet edhe përmes rritjes së buxhetit për mbrojtje për 15 për qind dhe planit për rritjen e tij të mëtutjeshme deri në 2 për qind të rekomanduara nga bruto-prodhimi vendor. Me rëndësi të madhe, tha Shekerinska, është edhe mënyra në të cilën do t’i shpenzojmë mjetet në mbrojtje, ndërsa në periudhën e ardhshme fokusi ynë është që të iniciojmë plane për modernizim.
Zëvendës-ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Apaturaj duke uruar për lidershipin e Maqedonisë në rajon, theksoi se vendi bëri kthesë të madhe për një periudhë të shkurtë dhe se politika e mirë fqinjësore e Maqedonisë len përshtypje edhe për fqinjët, të cilët dhanë mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e plotë të vendit në Aleancë.
Apaturaj u pajtua se është me rëndësi të madhe se si do të shpenzohet buxheti për mbrojtje dhe ofroi ndihmë dhe mbështetje nga ana e NATO-s. Ai shprehu falënderime për kontributin e vazhdueshëm të Maqedonisë në misionin paqësor të NATO-s në Afganistan, që është pranuar nga të gjithë aleatët, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.