Shkup, 7 qershor – Drejtori i Inspektoratit shtetëror të Vetëqeverisjes Lokale, Vanço Shehtanski, sot deri tek kryeministri Zoran Zaev ka parashtruar dorëheqje të parevokueshme. Në dorëheqje, ai shpjegon se është e palogjikshme të sjellë vendime në kohën kur ka përbërje të re qeveritare. “Konsideroj se duke patur parasysh se jam emëruar nga përbërja e kaluar qeveritare, është e palogjikshme të sjellë vendime në kohën kur ka përbërje të re qeveritare dhe vendime të reja kadrovike që është e logjikshme të vendosin dhe të udhëheqin institucion në të ardhmen”, shkruan Shehtanski në dorëheqjen e tij. Ndryshe, Shehtanski njihet si bllokuesi i shumë iniciativave lokale për nevojat e shqiptarëve. Ai ishte shprehur hapur kundër vendimit për ndërrimin e emrave të shkollave shqipe në Çair dhe në qytete tjera, ndërsa në shumë raste – kishte shprehur edhe deklarata anti-shqiptare.