Konfuzioni nuk është doktrinar, sa është pragmatik në planin e manipulimit me ndjenjat fetare. Hoxhallarët tanë duhet të dalin nga klisheja se myslimani gjithnjë bën luftë të drejtë, sepse kur do ta hyjmë për t’i analizuar kontekstet e çdo konflikti, mund të hasim në pak gjëra me motiv fetar! Pra, lypset jo vetëm dije që i shpjegon termet (shehidët, për shembull), por dhe kontekstualizim në situatë konkrete të konflikteve ku në të dy anët janë përfshirë myslimanë. Logjika thotë se nëse njëri është shehid, tjetri duhet të jetë katil!
Nga Daut DAUTI
Një ditë ramazani, këtyre ditëve, rastisëm të bëjmë iftar në një restorant dhe pasi thirri ezani dhe çelëm iftar, nga altoparlanti dëgjonim një ilahi e cila fliste për shehidët! Për ata që me flijesën e tyre “për shehadet”, kanë rënë nëpër fushëbeteja. Kënga ishte në gjuhën shqipe, se ndryshe nuk do ta kuptoja porosinë që më shtyri të mendoj në një kontekst të gjerë dhe të ngushtë të fjalës. Lexuesit dhe mund të tmerrohen nga tmerrimi im që në atë moment ndjeva duke kujtuar shumë “shehidë” nga mesi ynë të rënë në do vatra të largëta konfliktesh ku kishin shkuar të luftojnë.
Rëndom nuk e kam qejf të përfshihem në debate jashtë fushës sime profesionale, prandaj dhe kjo qasje le të jetë pak një e drejtë qytetare për t’i shtruar të paktën në mënyrë laik disa pyetje e dilema në adresë të atyre që atyre që janë të thirrur t’u japin përgjigje. Derisa shkonte në altoparlant kjo ilahi, në restorant ishte një imam i njohur, e ndoshta kishte dhe të tjerë që s’i njihja, e që duhej të ishin më të mbathur në pikëpamje të teorisë së islamit, por, kuptohet, në një iftar dhe nuk ka vend për nasihate, për t’i zbërthyer këtë dhe ndonjë temë tjetër, përveçse një duaje të iftarit. Por, gjithsesi, pasi ta ketë dëgjuar këtë ilahi hoxha i nderuar, ka për obligim që në xhaminë e tij t’i rreket çështjes dhe t’ua zbërthejë xhematit të tij në ndonjërën nga ligjëratat e Ramazanit se si dhe kur ndokush mund të fitojë epitetin dhe statusin e lëvduar të shehidit në ditët tona, e sidomos, të sqarojë sa këtë a e meritojnë ata besimtarë nga mjedisi ynë, që ua kanë mësy do luftërave në hapësira të largëta gjeografike…
Kam dëgjuar një rrëfim për një shkupjan i cili paska shkuar në një nga këto lufta për të mbrojtur myslimanët e rrezikuar dhe në atë rrëmujë të madhe në Siri, dhe i cili kishte ardhur në pozitë që të vrajë myslimanë të tjerë, ndër ta dhe një mik të vetin, i cili, në rrethana të çuditshme, kishte qenë në një grup tjetër myslimanësh. Kur kishte kuptuar se kë kishte vrarë, kishte ngushëlluar veten me fjalët “e bëra shehid”! Pyetja që ia ka shtruar vetvetes gjithsesi duhet ta ketë tronditur këtë “kandidatin” tjetër për shehid, i cili për një moment sigurisht është ndalur të mendojë, ose e ka çarë kokën gjatë gjithë kohës kur ka qenë në atë rrëmujë luftërash, si është e mundur të luftojë një mysliman kundër myslimanit tjetër, dhe të fitojë statusin e shehidit? Logjika thotë se nëse njëri është shehid, tjetri duhet të jetë katil! Hoxhallarët tanë duhet të dalin nga klisheja se myslimani gjithnjë bën luftë të drejtë, sepse kur do ta hyjmë për t’i analizuar kontekstet e çdo konflikti, mund të hasim në pak gjëra me motiv fetar! Pra, lypset jo vetëm dije që i shpjegon termet(shehidët përshembull) por dhe kontekstualizim në situatë konkrete të konflikteve ku në të dy anët janë përfshirë myslimanë.
Ka nevojë për shpjegime sepse në këtë mënyrë do t’ua lehtësojnë “zgjedhjen” që bëjnë për të shkuar atyre naivëve të devotshëm se cilës palë ndërluftuese myslimane duhet t’u bashkëngjiten që të bëhen shehidë nëse bien për kauzën e tyre! Edhe pse për fat dukuria për të cilën po flas ka filluar të bie në pikëpamje masiviteti, kjo ilahi na kujtoi praktikisht dhjetëra e qindra “kandidatë” për shehidë që nga këto hapësira ballkanike u janë bashkangjitur viteve të fundit lëvizjeve që aspektin e mbrojtjes së islamit e kanë pasur në thelbin e ideologjisë së tyre. Saktësisht nuk dihet, por mund të supozohet se përveç se në Isis, Al Nusra, ndoshta ka pasur edhe luftëtarë në mesin e talebanëve ose ndonjë lëvizje tjetër. Por, si janë gjetur ata në ato situata kur për së afërmi kanë kuptuar se lufta e tyre nuk ka qenë si në film “myslimanë kundër dushmanëve” por “myslimanë kundër myslimanëve”, madje shpesh të doktrinave të njëjta ose të ngjashme, tek të cilët dallimi ka qenë për shkak të agjendave që dalin jashtë suazave fetare dhe bëhen kauza politike.
Konfuzioni nuk është doktrinar, sa është pragmatik në planin e manipulimit me ndjenjat fetare. Ai konfuzion këtu te ne është edhe më i madh, përderisa në vetë burimin(atje ku është djepi i myslimanizmit), ku dijetarët islamë duhet t’i shpjegonin më mirë gjerat, shpallen martirë edhe ata të cilëve dikush ua shpërlan trurin dhe me eksploziv i fusin në tregje, autobusë, shkolla madje edhe objekte fetare, që të vrasin njerëz të pafajshëm duke u vetëvrarë! Vetëvrasja është njëra nga gjërat më të ndaluara në islam, apo jo?!
Me këtë rast dua të përkujtoj një rast që ka ndodhur në një lokal nate në Egjipt kur nga zjarri kanë humbur jetën shumë persona. Ndonëse rasti tragjik, në një shou satirik është improvizuar një intervistë e trilluar me pronarin, i cili, i kishte quajtur “martirë” ata që e kishin humbur jetën dhe që sipas tij, me këtë do të hyjnë në xhenet. I pyetur nga udhëheqësi i emisionit se si ka ardhur në përfundim të tillë, ai është përgjigjur “A nuk janë egjiptianë ata? Kur egjiptianët vdesin, a nuk i quajmë martirë? Pse të mos i quajmë edhe këtë martirë?”. Porosia e kësaj është karrikimi me përdorimin e fjalës martir për të gjithë ata që vdesin për shtetin e vet, pa hyrë në detaje se me çfarë qëllimi shteti i vet e ka dërguar në atë operacion ushtarak.
Problemi qëndron jo vetëm në thelbin e fjalës, por në përzierjen e kauzave fetare e politike, kur shpesh nuk mund të ketë autoritet relevant që do të ndante shapin prej sheqerit, që do të shpjegonte kur bëhet fjalë për një kauzë të drejtë politike ose fetare(në ditë të sodit praktikisht kauza e dytë është nën hijen e së parës!). Një mysliman ballkanas vërtet mund të jetë i brengosur për fatin e “vëllezërve myslimanë” në shumë vende të botës, por me çfarë mendsh futet në atë vorbull ku s’dihet kush me kë dhe përse lufton?! Aq më tepër të bie shehid duke luftuar pranë disa “vëllezërve myslimanë” e kundër “vëllezërve” tjerë myslimanë.(Dorën në zemër, nga këto hapësira kanë pasur pjesëmarrje në shenjë solidariteti edhe në lëvizje tjera për motive ideologjike…). Shtetet kanë qëllimet e tyre, si bie fjala Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me intervenimin e tyre në Jemen, kundër rebeleve Huthi, ku marrin pjesë edhe disa shtete tjera, kur humb jetën ndonjë pilot, mediat e këtyre vendeve i quajnë “shehidë”. Jemeni është vend me shumicë sunite, ku jetojnë edhe shiitët zejdi, që janë shumë të afërt me sunitët. Në Siri lufta popullore nisi kundër regjimit autoritar të Asadit(pra, për motive politike), e u bë pastaj lesh e li, ku qeni të zonë nuk e njihte. Pak kush këtu ndër ne e dinë se para se të ndodhte intervenimi amerikan ndaj regjimit të Mulla Omarit, në Afganistan kishte një rivalitet dhe konflikt shumëvjeçar midis talebanëve dhe muxhahedinëve! Pra, të dy palët të deklaruar si myslimanë të pastër. Një ballkanas në cilën anë do të rreshtohej midis dy grupacioneve myslimane të një populli të largët? Në Irak, pas intervenimit ndaj regjimit të Sadam Hyseinit, më shumë janë vrarë myslimanë mes veti se nga intervenimi i jashtëm. Pra, që të pretendosh të futesh në përplasje lëvizjesh të ndryshme, të cilat shpesh fenë e kanë paravan për qëllimet e tyre politike, kërkon një kthjelltësi e jo besim i verbër e naiv se do ta fitosh xhenetin nëse i bashkëngjitësh ndonjë lëvizjeje me atribute fetare.
Duhet të përkujtojmë se që nga shekulli i 9-të myslimanët nuk kanë jetuar në një shtet të përbashkët , dhe vazhdimisht ka pasur shumë konflikte midis popujve a mbretërive (shteteve) myslimane dhe a thua ato kanë qenë për shkaqe fetare, apo për supremacion politik? Sa mund të jenë shehidë ata që shkojnë në luftërat myslimane-myslimane, madje kur të shpeshtën dhe nuk kanë dallime doktrinare? Një hadith thotë se martir është një mysliman që vdes duke mbrojtur pronën e tij, prej kësaj mund të shtojmë edhe duke mbrojtur edhe pragun e shtëpisë, familjen ose atdheun (nga Perandoria Osmane bie fjala ka mbetur fjala “pa vatan nuk ka iman”…), por ndoshta thelbi qëndron në një hadith që duhet më shpesh ta citojnë imamët tanë që thotë se kur dy myslimanë ndeshen me njëri tjetrin me shpata, atëherë si vrasësi, si i vrari do të gjenden në ferr. (Në raste kur dy myslimanë duan ta vrasin njëri tjetrin, të dytë shkojnë në ferr. Në rast kur njëri është agresor, atëherë tjetri është shehid”).
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)