Ka një fjalë popullore që thotë se “nuk është ar gjithçka që shkëlqen”, ndaj dhe është naive të përqafosh “modele” gjuhësore vetëm pse vijnë nga Shqipëria. Motivi për t’i ruajtur emrat e huaj në origjinal, nuk përkon me rregullat e gjuhës shqipe
Nga Daut DAUTI
A keni dëgjuar për rregullën gramatikore “kështu e bëjnë në Shqipëri”? Sigurisht nuk keni dëgjuar, por ndoshta pa vetëdije jeni bërë rob të saj!
Së pari, t’ua tregoj lexuesve një anekdotë për një të krishterë që kishte dashur të bëhet mysliman. Hoxha ia kishte bërë duanë dhe e kishte mësuar si të falet. Kur kishte parë se e ka pak si vështirë ta kuptonte sa herë duhej të bie në sexhde e të çohet në këmbë, hoxha i kishte dhënë një këshillë praktike: Bën si bëjnë të tjerët. Ditën e parë të faljes në xhami, myslimani i ri e kishte mbajtur mend këshillën e hoxhës, çou, ulu, çou, ulu…si të tjerët. I përkushtuar deri në maksimum, koncentrohet që t’i përmbahet këshillës së hoxhës. Mirëpo, në radhën pas tij kishte ndodhur një burrë që e kishte pasë vënë “kamishin” në shpinë nën lurkë. Kur kishin rënë në sexhde, kamishi i zgjatur përtej kokës, e prek myslimanin e ri në prapanicë dhe ky kishte kujtuar se kjo është pjesë e ritualit, prandaj edhe ai e prekë me gisht atë para tij në të njëjtin vend. Mirëpo, ky myslimani tjetër, i befasuar nga kjo prekje ku s’e ka vendin, t’i kthehet myslimanit të ri dhe ia “zhaveshë” një shuplakë të nxehtë sa t’i shohë yjzit, por ai nuk befasohet, në çast kujton se edhe shuplaka qenka pjesë e ritualit të namazit, dhe i kthehet atij pas tij, “pronarit” të kamishit, dhe t’ia ngjeshë shuplakën…
Duket njësoj si kjo mesele kur sheh se si shqiptohen ose shkruhen emrat e huaj gjithandej duke u shndërruar në epidemi të vërtetë, që ka infektuar gjithë hapësirën mediale shqiptare. Si një ortek i rrezikshëm bore, s’ka fuqi ta ndalë askush, edhe pse gjuhëtarë të ndryshëm kanë tërhequr vërejtjen, por kanë hasur në veshë të shurdhër. Këto ditë e pata një postim në facebook, me “vërejtje dhe këshilla publike” kolegëve nga TVM-ja të cilët komentonin ndeshjet nga Kampionati Botëror në Futboll Rusia 2018, duke u vënë në dukje shqiptimin e gabuar të emrave të futbollistëve, të cilët sipas shembullit të Shqipërisë, nuk i lakojnë fare, ose herë i lakojnë, e herë jo. Por, do të isha i padrejtë që problemin ta locoj vetëm te gazetarët e sportit dhe vetëm në TVM, sepse, siç ceka më sipër, ky trend është bërë tashmë dukuri masovike, dhe stacionet televizive të Kosovës dhe Maqedonisë, janë bërë viktimë e kopjimit të kësaj praktike të gabuar. Për ilustrim se si tingëllojnë panatyrshëm veçova jo pak shembuj. Që të mos ma zënë për të madhe këta të sportit, do ta marrë fillimisht shembullin e një gazetari të ri të TV Alsatit, i cili duke lajmëruar prej para Kuvendit, në një moment i drejtohet auditorit: “tash ta dëgjojmë deklaratën e Tuntev”! Po ky djalosh që ka filluar të merret me gazetari, a ka mësuar në shkollë gjuhë amtare dhe a ka dëgjuar për lakimin e emrave në rasa, a e di çka është rasa emërore, gjinore, kallëzore, dhanore, rrjedhore dhe përse shërbejnë ato? Ose, çfarë të thuash për titull portali ose gazete kësisoj: “Kërcënimi i Vuçiç se do t’i braktisë bisedimet”? ose “Angela Merkel u takua me Makron”( tingëllon si makro!)
Meqë këto ditë po përcjellim botërorin në futboll, e kemi vështirë të gjejmë televizion ose komentues i cili i shquan ose i lakon emrat e futbollistëve. Parapëlqej të dëgjoj komentim kroatisht ose maqedonisht, sepse ata i res0pektojnë rregullat e gjuhës së tyre. Si ju duken shembujt si vijon: “Skuadra e Petkoviq”(në vend se “Skuadra e Petkoviqit”, “së bashku me Neimar”( në vend se “së bashku me Neimarin”), “topi për Seferoviq” (në vend se “topi për Seferoviqin”, “pa problem për Jan Somer”( në vend se “…për Jan Somerin”) “topi për Zuber” ( në vend se “për Zuberin”), “me golin e Kolarov” (në vend se “me golin e Kolarovit”, “topi për Lustig”, (në vend se “…për Lustigun”, “ka luajtur për ekipin e Daevu”(në vend se “…për ekipin e Daevusë”, edhe pse i njëjti komentues në një rast tjetër shqipton drejt “Lojtari i Tokios”, që është e njëjta rasë lakimi!), “Edhe një tjetër mundësi për Berg” (në vend se “edhe një tjetër mundësi për Bergun”, “faul ndaj Rakitiq”(në vend se “faul ndaj Rakitiqit) etj. Ja dhe disa shembuj të tjerë që i kisha veçuar më herët, ku shpesh kemi edhe jokonsekuencë në të njëjtën praktikë: Në një moment, raportuesi thotë “…skuadrës së Anderlehtit’(trajtë e drejtë), por pak më vonë “Skuadrës së Mançester Junajted”(shtrembër) ose “…të skuadrës së Anderleht”(shtrembër)”, “luan me Mikhytarian”(shtrembër), “ndërhyrje e Obradoviq”(shtrembër); ”Karton i verdhë për Iva”(shtrembër) dhe përsëri raportuesi i njëjtë “harrohet” për pak dhe drejtë shqipton “Skuadra e Mançester Junajtedit”, por pastaj vazhdon “Nga ana e Mykitarian”(gabim) “…e Antonio Marsial”(gabim), “top i Zllatan Ibrahimoviç për Pogba”(gabim), “gjuajtje e Ani”(gabim), “një gjuajtje e shkëlqyer për Mançester Junajted”(gabim), “Pozicion jashtë loje të Antonio Marsial”(gabim). “Barazon skuadra e Anderleht”(, gabim, por pak më vonë: “skuadra e Anderlehtit”, drejtë)!, “Zhoze Murinjo i zgjënjyer me Fellainin”(drejtë) dhe në fund prapë margaritar: “Përfundon baraz dueli midis Anderleht dhe Mançester Junajted”. Pastaj komentuesit në studio, kush si mundet flasin shqip dhe “shqip”: “…Skuadra e Genk”, “Ndeshja midis Anderlehtit dhe Mançester Junajtedit”, “…është shumë larg nga sulmuesi I Mançester Junajted”, “Portieri i skuadrës së Genk”, “Fitoi në ndeshjen e parë ndaj Gent”.
Pyetja është më se thelbësore: në bazë të cilave rregulla të gjuhës shqipe emrat e huaj përjashtohen nga shquarja ose lakimi në rasa? Përgjigja: “kështu bëjnë në Shqipëri”! Por, “kështu bëjnë në Shqipëri” nuk është rregull, por një praktikë e mbrapshtë kushedi si ka nisur pas rënies së komunizmit(sepse këso shkeljesh më parë nuk ka pasur). Më kujtohet një emision i Arian Çanit(Zonë e lirë, TV Klan), ku intelektuali i njohur, Edmond Tupja, duke dëgjuar se si nuk lakoheshin emrat e huaj, u mundua të shpjegojë se edhe emrat e huaj iu nënshtrohen rregullave të gjuhës shqipe. Edhe gjuhëtarë të tjerë nga Tirana kohë pas kohe e kanë ngritur zërin, por kjo assesi nuk ka ndikuar që t’i ndalet hovi kësaj dhe disa praktikave të tjera që përhapen si sëmundje ngjitëse!
Motivi për t’i ruajtur emrat e huaj në origjinal, nuk përkon natyrën e gjuhës shqipe. Bie fjala, sa “bukur” e “shqip” tingëllon të thuash “Bush u takua me Putin”! Për ironi para disa vitesh duke e përcjellë këtë “trend”, kisha parashikuar se së shpejti edhe emrat shqiptarë nuk do të shquhen ose lakohen nëpër rasa dhe për fat të keq, gjithnjë e më tepër në gazeta, portale e sidomos në televizione, ka hyrë edhe kjo çoroditje(këtë term e parapëlqej, sepse nuk di si ta quaj ndryshe). Ja, gjykoni ju, vetëm dy “margaritarë” nga moderatori i njohur Alban Dudushi, i cili në një emision (19 prill 2017), paralajmëroi mysafirë kështu:”…Dhe ftoj Adelina Berisha”(në vend se “ ftoj Adelina Berishën)(1) dhe “ftoj në studio Shkëlqim Xika dhe Enver Hoxha…”(2),(në vend se”… Shkëlqim Xikën dhe Enver Hoxhën”).
Nuk ka nevojë ta dish gramatikën në mënyrë të përpiktë për të përdorur emrat sipas kontekstit adekuat, mjafton të flasësh shqip. Këto forma të çoroditura që i shkelin rregullat e gjuhës shqipe, po depërtojnë këndej kufirit,nga pakujdesia ose nga bindja naive se gjithçka që vjen nga Shqipëria duhet të jetë gjuhësisht korrekte. E vërteta është se nga Shqipëria na vjen sintaksa më korrekte se këndej, por ndikimi i gjuhëve të huaja, përplot SURPRIZA, EVENTE, EVENEMENTE, REFRAKTARE, VAKANTE…bën që të harrojmë që për to kemi fjalë të pastra shqipe! Ose mbaresat e mbiemrave sllavë të ish-Jugosllavisë, të cilat më parë i shkruanim me IQ, tash, sipas shembullit të Shqipërisë, vetëm me IÇ. Të paktën ne që kemi jetuar në ish-jugosllavi nuk duhet t’i gabojmë, duke e ditur se ato mbiemra në orgjinal përfundojnë me shkronjën “Ć” (Q)e jo me “Č”(Ç). Ose shprehje tipike jugore(vënd, kuvënd, dhëmb(për kuvend), etj) si letrare…
Nga Shqipëria, ne këtej kufirit, kemi pasur mësuesit e parë, për çka i falënderojmë, se na e kanë mbjellë dijen, kulturën dhe kanë qenë shembull edhe për pastërtinë e gjuhës. Ka një fjalë popullore që thotë se “nuk është ar gjithçka që shkëlqen”, ndaj dhe është naive të përqafosh “modele” gjuhësore vetëm pse vijnë nga Shqipëria. Në këtë temë mjafton të shikohet se si bie fjala në kroatisht ose serbisht lakohen emrat e huaj(ato kanë rasa lakimi ngjashëm si shqipja-“padeži“), ndërkaq gazetarët dhe intelektualët tanë, kanë hyrë në terrenin e maqedonishtes e cila ka rregullat të tjera nga shqipja(shembull: “topi për Seferoviq”(топка за Сеферовиќ)!
Nuk ka thënë kot populli “Sheh rrushi rrushin dhe piqet”, por dhe “Sheh rrushi rrushin dhe prishet”!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)