Në Shqipëri, proçesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi ka marrë shumë vëmendje në opinionin publik për shkak se ai po shoqërohet me largime në masë të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Kjo ka sjellë kolaps të dy gjykatave asaj kushtetuese dhe të lartë, dhe për pasojë debati politik dhe ai në rradhët e drejtësisë po zhvillohet me tone të larta.
Kritikët e Vettingut shohin tek ai një proces agresiv, në disa raste me standarte të dyfishta dhe të ndikuar politikisht nga shumica qeverisëse. Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë të posaçme me shkrim për Zërin e Amerikës, i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar ato si sinjale se Vetting po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Ajo mohoi që ky proçes të jetë nën ndikime politike, dhe nënvizoi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.