U kthye ke tavolina e punës ku e prisnin një grumbull letrash për të nënshkruar. Ishin dosjet e studentëve, të cilëve u ndante bursë për të studiuar. Secila prej dosjeve kishte të ngjitur edhe fotografinë e konkurruesit. Derisa i lexonte dhe kontrollonte, ke secila dosje shihte fotografinë e njëjtë, fotografinë e tij… (skicë tregimesh)
Nga Osman DEMIRI
U ngrit me shumë përtesë nga kolltuku i lëkurës dhe iu afrua dritareve me xham jeshil. Zyra e tij, e mobiluar me shije në katin e katërt të kompanisë, gjendej në periferi të qytetit. Përballë ndërtesës dukeshte parkingu i madh, poashtu i firmës së tij, ku qëndronte i radhitur një karvan i gjatë kamionësh, të ngarkuar me ndihma humanitare, të cilat pritnin lejen e tij për t’u nisur. Nëpër kamionë nuk kishin asgjë të shënuar se çfarë përmbanin dhe ku shkonin. E vetmja gjë që dihej ishte se duhej të shpërndaheshin nëpër familje që kishin nevojë, të cilat ishin të shënuara në një listë të gjatë me emra dhe adresa, pa dallim nacionaliteti dhe religjioni.
Derisa i shikonte ashtu të radhitur, mendimet e kthyen në fëmijëri. Kujtimet ia ngacmoi kamioni i tretë në radhë që ishte me ngjyrë të kuqe. Në moment iu kujtua vetja duke pritur në radhën e skamnorëve para kamionëve humanitarë i veshur me pallton e kuqe, një pallto femrash, që ia kishin falur. Sa herë që e vishte skuqeshte edhe vet nga turpi, i vetëdijshëm se shokët do ta qeshnin, por me që bënte shumë ftohtë dhe nuk kishte pallto tjetër ishte i detyruar ta mbante. Sikurse gjithë tjerët, edhe ai priste në radhë për të marruar ndihmë, të cilat zakonisht përbënin, një shishe vaj, dy-tre kilogram miell, një kilogram sheqer, një kavanoz marmellad dhe dy sapunë, njërin për rroba, kurse tjetri për trup. Gjitmonë mbante kokën ulur e me cepat e syve shikonet andej këndej mos kalonte dikush nga të njohurit e tij, sidomos shokët dhe shoqet e klasës.
Nëna dhe motra e prisnin në shtëpi. I ati kishte vdekur kur ishte vetëm 8 vjeç, duke i lënë jetimë së bashku më motrën. Malli për babanë e digjte pa masë, por kishte edhe një mllef të paspjegueshëm ndaj tij, pse iku aq shpejtë dhe i la në duar të fatit. Peshën e pakos humanitare as që e ndiente fare, nga turpi i përzier me mllef. Këtë mllef shpeshherë e nxirrte duke i qortuar të ëmën dhe motrën pse i dilnin para në rrugë për ta ndihmuar. Ikni brenda, nuk dua t’u shohin edhe ju duke mbajtur ndihma, pa e lëshuar pakon. E gjithë kjo kapërdihej disi, po mos ishte pjesa ku duhej të dalë para kamerave televizive dhe para gazetarëve për të falënderuar bamirësit, mirëpo nuk kishte nga t’ia mbante. Aq sa ishte falënderues, po aq ishte i mllefosur. Shikonte nga qielli dhe pyeste me sy të përlotur, pse o zot?! Shpeshherë, nga turpi që ndjente, mendonte të ikte pa marrur fare ndihmën, por ndjenja se në shtëpi nuk kishin asgjë për të ngrënë e detyronte të heshtë dhe veprojë ashtu siç i thonin. Pse nuk janë të gjithë si “njeriu misterioz”, i cili thuajse për çdo festë u linte ndonjë dhuratë brenda oborrit dhe ikte pa e parë askush? Ai ishte i vetmi njeri me të cilin do të dëshironte të fliste për hallin dhe ndjenjat e tij, por nuk e takoi kurrë. Shumë vonë kishte kuptuar se ai kishte qenë babai i një shoku të klasës, punëtor në një fabrikë, që mezi arrinte të ushqejë familjen e tij.
Kujtimet ia ndërpreu zilja e telefonit. U kthye ke tavolina e punës ku e prisnin një grumbull letrash për të nënshkruar. Ishin dosjet e studentëve, të cilëve u ndante bursë për të studiuar. Secila prej dosjeve kishte të ngjitur edhe fotografinë e konkurruesit. Derisa i lexonte dhe kontrollonte, ke secila dosje shihte fotografinë e njëjtë, fotografinë e tij. Ato ia kujtonin dëshirën e flaktë për të studiuar. Ëndrra e tij ishte të bëhej arkitekt. Mirëpo, edhe pse tani posedonte një kompani të madhe ndërtimi në Europë, kjo ëndërr i dukej boshe dhe e pa realizuar. Zemra i bëhej mal kur shikonte notat dhe sukseset e studentëve. Me plot qejf dhe dëshirë i nënshkroi duke i rritur me një përqindje të mirë.
– Urdhëro nënshkruaje letërpërcjelljen e kamionëve, shef, – iu drejtua sekretaresha duke e zgjuar nga mendimet. Pa ngritur fare kokën, mori letrën dhe e nënshkroi.
– Pa kamera dhe pa gazetarë, ju lutem!- iu drejtua sekretareshës me një zë më tepër urdhërues se sa lutës.
– Patjetër, shef!- tha ajo dhe doli.