Shefi i OKB-së kërkon që bota të adresojë situatën ekonomike të shkaktuar nga pandemia

13

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i kërkoi të martën komunitetit ndërkombëtar të adresojë situatën e rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Në qoftë se nuk ndërmarrim veprime tani, përballemi me një recesion global që mund të përmbys zhvillimin që është arritur për dekada”, u tha Guterres të pranishmëve në një takim për pandeminë e COVID-19 të organizuar nga Kombet e Bashkuara, Kanadaja dhe Xhamajka.

“Një milion njerëz kanë vdekur, bota po vuan tkurrjen më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore dhe rreziku i urisë po afrohet në disa vende”, tha ai.

Guterres tha se kombet kishin reaguar ndaj pandemisë me një përgjigje prej më shumë se 11.5 trilionë dollarësh në të gjithë botën.

“Por vetëm 2.5 për qind e këtij stimuli fiskal global llogaritet nga ekonomitë në zhvillim, të cilat kanë nevojën më të madhe, burimet më të pakta dhe kapacitetet më të dobëta për adresimin e krizës”, tha ai.

Guterres gjithashtu u bëri thirrje udhëheqësve të ofrojnë lehtësimin e borxheve për vendet në zhvillim dhe me të ardhura të mesme si dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë nevojave të Afrikës.

Të martën, numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi ka kaluar një milion, derisa vendet në të gjithë botën përballen me shkallë në rritje të infektimit dhe shqetësime për një valë të dytë.

Ky zhvillim vjen gati dhjetë muaj pasi lajmet për koronavirusin kanë filluar të dalin nga Vuhani i Kinës.

Virusi, që atëherë, është përhapur në 188 vende të botës, duke infektuar mbi 32 milionë njerëz.

Izolimi dhe masat e tjera për ta frenuar atë i kanë futur shumë ekonomi në recesion.

Përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë efektive vazhdojnë, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të arrijë në dy milionë, përpara se vaksina të jetë gjerësisht e disponueshme.

Comments are closed.