Më 15-17 shtator të këtij viti, në Shqipëri do të mbahet takimi i shefave të shtabit të vendeve anëtare të NATO-s. Takimi në fjalë është konfirmuar sot nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë e betimit të shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku.
“Çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, përmirësimi buxhetit të mbrojtjes, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave tona të Armatosura, përmbushja e detyrimeve dhe përgjegjësive në kuadër të NATO-s, do të mbështeten fuqimisht nga unë për 5 vitet në vijim. Ju uroj shumë suksese edhe në organizimin, për herë të parë në Shqipëri, më 15-17 shtator të këtij viti, të takimit të shefave të shtabit të vendeve anëtare të NATO-s, një ngjarje e rëndësishme për vendin tonë”, u shpreh Meta. Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s, etj.