Evis HALILI
Shkup, 10 nëntor – Është një botë herë e zymtë e herë plot dritë ku të gjithë vrapojmë e pakkush arrin të shohë dhe të depërtojë në minibotat e saj. Janë penelatat e Dali Alilit ato që drithërojnë, tulatin, e ngazëllejnë njëherazi, që depërtojnë thellë dhe vazhdimisht kërkojnë përtej dritës e errësirës, një jetë tjetër. “Pëshpëritjet e heshtura”, kështu e ka titulluar ekspozitën e radhës të çelur në Çifte Hamam artisti Alili ku ka prezantuar një përmbledhje nga krijimtaria e tij e përzgjedhur e dy viteve të fundit. E ndarë në pesë cikle “Brengë që vjen nga brenda – Shqetësimet”, “Memoria”, “Pëshpëritje te fshehura” “Rilindja” dhe “Zhgënjimi”, çdo pikturë është një rrëfim më vete, është një botë në të cilën nuk mund të shohësh pa sytë e piktorit dhe lojën abstraguese të ngjyrave, që ndërpriten ndonjëherë nga vijëza, pikëza…, që tundojnë grafistin të lërë shenjën. Ose siç thotë edhe vetë, ai vazhdimisht është në kërkim të plotësimit të një mozaiku, qoftë edhe me pjesëza të vogla që lënë gjurmët e veta sado të vogla qofshin.
“Koncepti i ekspozitës së radhës në Shkup ‘Shqetësime të heshtura’ është ndërtuar mbi bazën e një vështrimi drejt një bote të vogël, pranë së cilës kalojmë çdo ditë, të pavetëdijshëm për ekzistencën e saj. Ideja ime është se çdo detal i vogël në natyrë është esencial për një tërësi. Ashtu sikurse një mozaik e plotëson pamjen e botës në të cilën jetojmë…, sado të vegjël të jemi ne përsëri jemi pjesë plotësuese e historisë së madhe të universit”, shprehet artisti Alili.
Por edhe pse mund të duken abstrakte, pikturat e tij përcjellin mesazhe konkrete. Kështu i komenton rrëfenjat në tablotë e Dalit artisti Osman Demiri. Sipas tij ato nuk nisin me prologun standard: “Na ishte njëherë”, por thyejnë tabutë e na rrëfejnë një botë ndryshe, duke filluar me “Tani e tutje…”.
“Që në fillim të karrierës së tij artistike, Dali Alili hetoi se s’ka as kohë e as dëshirë që përmes figurash mitologjike, historike, religjioze, bile as kombëtare, të shprehë brengën e tij, mllefin që e grumbullon çdo ditë, ngado që rrotullohet. Ai nuk pretendon t’i idealizojë dhe t’i zbukurojë fenomenet, por me thjeshtësinë dhe mjeshtërinë e një artisti të vërtetë shpreh atë që mendon… Pikturat e Daliut flasin, klithin nga brenda: Ej njerëz, bota ka dritë, mos rrini në errësirë, bota ka ngjyra, mos shikoni vetëm zi. Pikturat e tij kanë larmi, kanë lëvizje, dhe njëherësh klithin: s’ka nevojë për turma njerëzish, kërkojeni lirinë individuale, dhe mos u merrni me njëri – tjetrin. Asnjëherë nuk na lodhi me prezantimin e gjërave që të gjithë i shohim, i prekim, na krijon një botë të tijën, një brengë që e nxjerr nga brenda, duke e ndriçuar me dritën e duhur, duke i dhënë kahjen e duhur, dhe na lënë ta shijojmë secili në mënyrën e vet”, thotë artisti Osman Demiri. Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur deri në mesin e muajit në Çifte Hamam. Gjatë ceremonisë së hapjes, piktori Reshat Ahmeti në fjalën e tij u shpreh se format abstrakte janë të pasuruara me tekstura të shumëllojshme, që u ngjasojnë larvave, luleve…., por gjithmonë në evoluim dhe transformim nga një formë në tjetër, në një metamorfozë konstante, ashtu që i jep formës dinamikë, jetë të vazhdueshme të vizualitetit të pambaruar.
“Edhe pse në shikim të parë në veprat e tij të fitohet bindja se ka shumë elemente të trajtuara ad hoc, të renditura rastësisht, por një artist i formuar si ai asgjë nuk i lë rastit, tek ai çdo gjë është nënë kontroll. Në realizmin e ideve të tij figurative ai ndjek dhe përcakton çdo lëvizje, formë, ngjyrë dhe teksturë, të cilave ua cakton ‘rolin’ dhe vendin e përkufizuar më parë në kompozicion….Në veprat e tij shquhen pasuritë tonike të ngjyrave, duke i përdorur në mënyrë inteligjente edhe ngjyrat akromatike, si ndërmjet të bardhës dhe të zezës, variacionet janë të shumta dhe të gjitha këto i japin veprave të tij më shumë frymë. Punimet e realizuara në kolor i përmbajnë të gjitha standardet e imponuara nga vetë artisti. Ai është një artist i mbathur me shkathtësi profesionale, që ia lehtësojnë rrugëtimin e tij artistik në ‘Gjithësinë e pasigurt të artit”, u shpreh Ameti në ceremoninë e hapjes.
Muhamedali (Dali) Alili ka mbaruar studimet në degën e grafikës në Akademinë e Arteve në Shkup (te profesor Dimitar Malidanov), ndërsa studimet postdimplomike në Dizajn Grafik. Punon si mësues pikture në Kumanovë. Punimet e tij në gjinitë e pikturës, vizatimit e fotografisë artistike janë prezantuar në pesë ekspozita personale dhe mbi 100 kolektive brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, ai është fitues i disa çmimeve, si çmimi i parë për fotografi (Prishtinë), çmimi i parë në ekspozitën ndërkombëtare “Draudacum” (Gostivar), e të tjera. (koha.mk)