Shkup, 29 mars – Ambasadori rus në Maqedoni, Oleg Shçerbak, sot tha se “nuk ka asnjë kërcënim ndaj Maqedonisë”, nëse vendi bëhet anëtare e NATO-s.
Ambasadori rus këtë e tha në kontekstin e deklaratës së zëvendësministrit të Jashtëm të Rusisë javën e kaluar, Aleksandar Grushko, se nëse Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s kjo do të ndikojë në marrëdhëniet bilaterale dhe stabilitetin e rajonit.
Sipas tij, biseda e Grushko me ambasadorin e Maqedonisë Goce Karajanov, ka qenë për zhvillimin e mëtejshëm të suksesshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe është diskutuar për më shumë aspekte të tregtisë, bashkëpunimit ekonomik, kulturor, investimeve.
“U shpreh shqetësimi ynë nga planet për të tërhequr Maqedoninë drejtë NATO-s dhe janë vënë re pasojat negative nga ajo tërheqje ndaj sigurisë rajonale dhe marrëdhënieve bilaterale”, tha Shçerbak, duke shtuar se Rusia disa herë e shprehë të njëjtin qëndrim.
Sipas tij, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO nuk do t’i sigurojë prosperitet dhe nuk do të forcojë integritetin territorial.
“Hapësira ajrore e vendit prej kohësh është nën kontrollin e forcave të NATO-s, dhe kush në kushte të tilla mund ta sulmojë Maqedoninë. Vetë NATO ose ndoshta jashtëtokësorët?”, pyeti Shçerbak.
Ambasadori rus paraprakisht në pres konferencë tha se vendimi i autoriteteve të Maqedonisë për të dëbuar diplomatë rusë ka karakter të pabazë, vendim i nxituar dhe i pa precedentë për të gjithë historinë e marrëdhënieve ruso-maqedonase.
“Përfaqësuesit në Shkup vendosën të ndërmarrin këtë hap jo miqësor ndaj shtetit tonë nën ndikimin nga jashtë, por ajo nuk i liron autoritetet e Maqedonisë nga pasojat negative në raport me marrëdhëniet bilaterale”, tha Shçerbak.
Për vendimin e MPJ, shtoi se “bëhet fjalë për urdhër politik, për tu siguruar pjesëmarrja e Maqedonisë në aksionin kolektiv të BE-së dhe NATO-s për dëbimin e diplomatëve, në solidaritet me Britaninë e Madhe”.
Në lidhje me atë se çfarë hapa do të ndërmarrë Rusia si përgjigje ndaj dëbimit të diplomatëve rusë nga ana e Maqedonisë, Shçerbak tha se Rusia ka traditë të vjetër në diplomaci dhe se nuk ka traditë të shpejtojë në vendimet dhe hapat të cilat do t’i ndërmerr.
“Në diplomaci dëbimi i diplomatëve është hap serioz dhe jo miqësor dhe kohë reale do ta kthejmë përgjigjen tonë. Por, kjo përgjigje do të jetë adekuate dhe të menduar mirë nga të gjitha anët”, theksoi Shçepbak.
Në lidhje me deklaratën e shefit të diplomacisë Nikolla Dimitrov, se personi ka vepruar jashtë mandatit diplomatik, Shçerbak theksoi se pala e Maqedonisë nuk ka dorëzuar dëshmi për pretendimet për aktin e diplomatit, gjegjësisht nëse ai merrej me veprime të caktuara që dalin nga statusi diplomatik në përputhje me Konventën e Vjenës për marrëdhënie diplomatike.