SHBA ka ulur tarifat për importet e çelikut nga aleati i saj i NATO-s, Turqia, duke ndryshuar vendimin e vitit të kaluar për t’i dyfishuar ato, pas mosmarrëveshjeve diplomatike midis të dyve, shkruan Alsat M, transmeton gazeta Koha.
Gushtin e kaluar, presidenti i SHBA Donald Trump dyfishoi tarifat për çelikun dhe aluminin turk duke përshkallëzuar një grindje diplomatike lidhur me arrestimin e një pastori amerikan.
Turqia u godit më shumë se shumica e partnerëve tregtarë amerikanë me një tarifim prej 50% për çelikun e saj në 2018.
”Kjo shifër tani do të reduktohet në 25 % nga 21 maj”, sipas një njoftimi të presidentit amerikan.
Kriza diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë, verën e kaluar, lidhur me ndalimin nga Turqia të pastorit amerikan, Andrew Brunson, kishte sjellë edhe zhvlerësimin e lirës turke kundrejt dollarit.