Qeveria e Kosovës ka dështuar në mbajtjen e mbledhjes ku pritej procedimi i Demarkacionit në Kuvend, ndërsa në mbledhjen e ekzekutivit nuk ka marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa e as vartësit e tij nga radhët e PDK-së.
Shefi i Qeverisë bashkë me kreun e PDK-së, Kadri Veselin, gjatë një takimi me ambasadorin e SHBA-ve Greg Delawie, kanë bërë të ditur se shkuarja e Demarkacionit në qeveri dhe në Kuvend është shtyrë deri pas seancës së mërkurës, ku pritet të votohet mocioni i votëbesimit.
Por, kjo shtyrje ka sjellë reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, e cila i ka dhënë ultimatum qeverisë, Kuvendit dhe deputetëve të Kosovës që të procedojnë dhe votojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Në reagimin e Ambasadës Amerikane ndër të tjera thuhet se pas shqyrtimit të konsiderueshëm nga ekspertët e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vija e kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte, përcjell “Zëri”.