Ankara, 17 tetor – Sekretari shtetëror amerikan Majk Pompeo sot kërkoi nga Ankaraja të lirohen të gjithë shtetasit e SHBA-së të arrestuar në Turqi, mes të cilëve edhe ish shkencëtari i NASA-s me prejardhje turke, Serkan Gjolge. Siç kumtoi Departamenti i shtetit, kërkesën e tillë Pompeo e parashtroi në takimin e sotëm në Ankara me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Mevlut Çaushoglu.
Kërkesa e re e Uashingtonit vijoi pasi para disa ditëve nga paraburgimi shtëpiak në Turqi ishte liruar pastori amerikan Endrju Branson, i cili tashmë u kthye në SHBA. Pompeo në Ankara, përveç me Çaushoglun, u takua edhe me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, me ç’rast kanë biseduar për rastin me gazetarin e zhdukur saudit, Xhamal Kashogi.
Kashogi u zhduk më 2 tetor pasi shkoi në Konsullatën saudite në Stamboll që të sigurojë dokumente për kurorëzimin e tij, pas çka ai humbi çdo gjurmë. Ekzistojnë dyshime se Kashogi është vrarë në Konsullatën saudite.
Sergan Gjolge, megjithatë, ishte arrestuar gjatë vizitës së familjes së tij në Turqi, nën dyshimin se është aleat i predikuesit islamik Fetullah Gjylen, të cilin Ankaraja e akuzon se qëndron pas përpjekjes për grusht shtet në vitin 2016. Edhe pse Gjolge i hodhi poshtë akuzat e tilla, megjithatë ishte dënuar me 7,5 vite burg. Muajin e kaluar dënimi me burg i ishte zvogëluar në pesë vjet.