Uashington, 18 mars – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjenerali Xhosef Danford i mohoi informatat që i publikuan disa media se Pentagoni planifikon të mbajë rreth 1.000 ushtarë të tyre në Siri edhe përskaj shpalljes së presidentit Donald Tramp për tërheqjen e plotë të Forcave Amerikane nga vendi.
Danford theksoi se bëhet fjalë për “fakte jo të sakta”, duke shtuar se nuk do të ketë ndryshime në planin e tërheqjes të ushtarëve amerikanë nga Siria.
“E kundërta, vazhdojmë me planifikimin e hollësishëm së bashku me Shtabin e Përbashkët turk, rreth masave të sigurisë në territoret përgjatë kufirit turk-sirian. Planifikimi deri tani ishte produktiv dhe e përpunuam konceptin fillestar që duhet të definohet në ditët e ardhshme”, theksoi Danford.
“Uollstrit Zhurnal” dje publikoi se negociatat midis SHBA-së, Turqisë dhe aleatëve evropianë për vendosjen e zonës së sigurisë në Siri, që është element kyç nga plani i Trampit për tërheqjen e ushtarëve amerikan nga vendi, nuk kanë sjellë deri te përputhja e qëndrimeve pas kësaj çështje.
Sipas gazetës, SHBA-ja tani planifikon që ta vazhdojnë bashkëpunimin me aleancën rebele Forcat Demokratike Siriane (FDS), ku grupi më i madh janë Forcat për mbrojtjen e popullit të kurdëve sirianë, për shkak se të paktën 1.000 ushtarë amerikanë do të mund të qëndronin në pjesën verilindore të Sirisë.
Turqia i konsideron Forcat e mbrojtjes së popullit për degën siriane të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar drejton luftë të armatosur për autonominë e rajoneve turke ku shumica e banorëve janë kurd. PKK është në listën e organizatave terroriste të Turqisë, BE-së dhe SHBA-së.
Bashkëpunimi i SHBA-së me forcat e kurdëve sirianë ishte arsyeja për tensione në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Ankarasë.
Turqia deri tani disa herë në bashkëpunim me grupet rebele siriane që i mbështet, ndërmori operacione ushtarake kundër Forcave për mbrojtje të popullit, Ankaraja paralajmëroi se po përgatitet ofensivë kundër luftëtarëve të kurdëve sirianë, në territorin e Sirisë në lindje të lumit Eufrat, që pothuajse është plotësisht nën kontrollin e FDS-së, por nën trysninë e SHBA-së i shtyu këto plane.