Karakas, 12 tetor – Presidenti i Venezuelës Nikollas Maduro mbrëmë akuzoi se SHBA-ja i ka urdhëruar autoritetet e Kolumbisë për ta vrarë atë.
“Shtëpia e Bardhë i ka dhënë detyrë Bogotas për të më vrarë”, deklaroi Maduro në një fjalim, që u transmetua drejtpërdrejtë në radio televizionet shtetërore.
Siç lajmëroi DPA, Maduro, i cili edhe paraprakisht pohoi se Uashingtoni qëndron pas sulmit ndaj tij me dron më 4 gusht në Karakas, nuk theksoi kurrfarë dëshmi për akuzuat se Kolumbia po përgatit vrasjen e tij. Maduro në fjalimin theksoi se “Zoti dhe populli e mbrojnë” dhe nëse i ndodh diçka “klasa punëtore duhet të fillojë grevë dhe betejë të përgjithshme”.
Venezuela po përballet me krizë të rëndë ekonomike, e cila, sipas ekspertëve perëndimorë, është pasojë e politikës për ndërtimin e “ekonomisë sociale” që e zbaton Maduro. Autoritetet e Venezuelës megjithatë për krizën e akuzojnë SHBA-në, duke pohuar se Uashingtoni dëshiron ta shkatërrojë ekonominë e vendit.