SHBA synon të dëbojë studentët e huaj

23

Befas viza nuk vlen më për asgjë. SHBA do t’i dëbojë studentët e huaj të regjistruar në universitetet që për shkak të pandemisë së Coronës ofrojnë semestrin e ardhshëm vetëm kurse online

Mjaft universitete në SHBA, ndër ta edhe Universiteti i Harvardit, pritet që pas pushimeve të verës të ofrojnë semestrin e ardhshëm vetëm kurse online për shkak të pandemisë së Coronës. Për një numër studentësh të huaj që studiojnë në Shtetet e Bashkuara kjo do të thotë se ata mund të përballen me dëbimin nga vendi. Enti i SHBA-së për Emigracionit dhe Doganat (ICE) në Uashington njoftoi se nëse universitetet ofrojnë vetëm kurse online për shkak të Coronës, studentët që kanë viza F1 nuk lejohen të qëndrojnë në vend.

E njëjta vlen edhe për ata që ndjekin kurse në institucione arsimore jo-akademike siç janë p.sh. shkollat për pilotë dhe janë të pajisur me viza M1. Sipas deklaratës së ICE-së studentët e prekur ose duhet të largohen nga vendi ose të regjistrohen në një universitet tjetër ku zhvillohet mësim me prezencë. Të prekur janë edhe studentët e regjistruar në universitetet, që zhvillojnë mësim të përzier, pra në internet dhe me prezencë. Këto universitete duhet t’i pajisin studentët e tyre të huaj me vërtetime nëse janë të regjistruar më tepër në orë mësimore me prezencë apo online. Në rastin e dytë vizat po ashtu nuk zgjaten.

Të huajve që duan të fillojnë në SHBA studimet e tyre në një universitet që ofron leksione vetëm përmes internetit, nuk do t’u jepet më vizë, njofton më tej enti i imigracionit. Edhe nëse ata kanë marrë ndërkohë vizë, nuk do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Rreth 5.5 për qind e studentëve në SHBA janë të huaj – ndër ta shumë të rinj nga Kina, India, Koreja e Jugut, Arabia Saudite dhe Kanadaja.

Pagesat e shkollimit që ata paguajnë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të të ardhurave në shumë universitete. Për shkak të pandemisë së Koronës, shumë universiteti i kanë kaluar kurse të shumta që prej muajit mars në internet. Shumica e universiteteve nuk kanë vendosur ende se si do të procedojnë në vitin e ri akademik që fillon në vjeshtë. Sidoqoftë, disa universitete të njohura, përfshirë dhe Harvardin, kanë njoftuar tashmë se edhe pas pushimeve të verës do të vazhdojnë me program mësimor thjesht në internet.

Comments are closed.