SHBA, shkalla e vetëvrasjeve është rritur 25 për qind nga viti 1999

13

 Shkalla e vetëvrasjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është rritur për 25 për qind ndërmjet viteve 1999 dhe 2016, zbuloi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në një raport alarmant, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në gjysmën e shteteve federale të SHBA-së, rritja ka shkuar në 30 për qind. Sipas raportit, asnjë shtet nuk ka shënuar ulje të numrit të vetëvrasjeve, ndërkohë ky numër është rritur më së shumti në Dakotën e Veriut me 57 për qind.

“Vetëvrasja është një shkak kryesor i vdekjes për amerikanët, dhe kjo është tragjedi për familjet dhe komunitetet në të gjithë vendin”, tha në një deklaratë zëvendësdrejtoresha kryesore e CDC, Anne Schuchat.

“Duke filluar nga individët dhe komunitetet e deri tek punëdhënësit dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor, gjithkush mund të luajë rol në përpjekjet për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve dhe për të ndryshuar këtë rritje shqetësuese të vetëvrasjeve”, shtoi ajo.

Vetëm në vitin 2016, rreth 45.000 amerikanë të moshës 10 vjeç e më tepër kryen vetëvrasje. Vetëvrasja aktualisht është shkaku më i zakonshëm i vdekjes në SHBA, së bashku me sëmundjen e Alzheimerit dhe mbidozimet e drogës, që janë në rritje.

Edhe pse shëndeti mendor perceptohet shpesh si shkak i vetëvrasjes, CDC theksoi se vetëvrasja ka shumë faktorë të ndërthurur. Qeveria ka raportuar se 54 për qind e njerëzve që vdiqën nga vetëvrasja në vitin 2016 nuk ishin të njohur të kenë pasur çrregullime të mëparshme të shëndetit mendor.

CDC sugjeroi një listë të gjerë mënyrash për komunitetet për të ndihmuar personat që mendojnë për vetëvrasje. Sugjerimet radhiten nga ato personale, si vendosja e medikamenteve potencialisht vdekjeprurëse dhe armëve në vende të sigurta, deri te ato shoqërore, si zgjerimi i rrjetit të sigurisë sociale për personat me probleme financiare.

“Problemet në marrëdhënie ose humbja e saj, keqpërdorimi i substancave; problemet shëndetësore fizike; dhe stresi i punës, parasë, ligjit apo strehimit shpesh kanë kontribuuar në rrezikun për vetëvrasje”, shpjegoi CDC në raportin e saj.

“Armët e zjarrit kanë qenë metoda më e zakonshme e vetëvrasjeve, të përdorura nga persnat me dhe pa çrregullime të njohura mjekësore të diagnostikuara”, thuhet më tej në raport.

Comments are closed.